Presidenti Nishani do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për betimin e Metës

Presidenti Bujar Nishani dhe Presidenti i Zgjedhur, Ilir Meta kanë zhvilluar sot një takim në ambientet e presidencës. Takimi është zhvilluar gjatë mesditës dhe në qendër të tij ka qenë diskutimi për fazën tranzitore të kalimit të detyrës nga Presidenti në detyrë, Bujar Nishani te Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta.

Sipas Kushtetutës, Ilir Meta do të marrë detyrën më 24 korrik. Ceremonia e betimit të kreut të shtetit bëhet në një seancë të posaçme të Parlamentit.

Mësohet se mbledhja e Kuvendit për betimin e kreut të ri të shtetit do të thirret nga Presidenti aktual Bujar Nishani.  Në zbatim të Kushtetutës, kreu i shtetit do t’i kërkoj Kuvendit dhe grupet parlamentare mbledhjen e seancës së posaçme për betimin e Presidentit të ri.

Një burim pranë stafit të Ilir Metës tha se Presidentit të Zgjedhur  i mjafton bashkëpunimi me Presidentin, Bujar Nishani për të përmbushur formalitetet e marrjes se detyrës së Presidentit në 24 korrik.

E drejta për mbledhjen e Kuvendit jashtë radhës nga kreu i shtetit bazohet në ligjin themeltar të shtetit. Neni 74 i Kushtetutës parashikon se “Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve”.

SHKARKO APP