Presidenti Trump: Garancitë e sigurisë për Ukrainën do t’i ofrojë Evropa, jo SHBA. Ne do marrim 500 miliardë dollarët tona
“Zëri i Amerikës” shkruan ndër të tjera sonte (26 shkurt) se Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se nuk do të jenë Shtetet e Bashkuara por Evropa që do të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën.
Komentet Presidenti Trump i bëri gjatë mbledhjes së parë me anëtarët e kabinetit të tij, si përgjigje ndaj një pyetjeje të gazetarëve, nëse marrëveshja mes Uashingtonit dhe Kievit mbi mineralet do të përmbajë garanci sigurie për Ukrainën.
Të martën zyrtarë të dy vendeve njoftuan se është rënë dakord mbi një projekt-marrëveshje që i mundëson Uashingtonit qasje tek mineralet e rralla në Ukrainë.
Ukraina tha sot se e kishte miratuar marrëveshjen kornizë, por shtoi se suksesi i saj do të varej nga bisedimet me Presidentin Donald Trump.
Më herët Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se mbeten ende të përcaktohen garancitë e sigurisë të cilat Kievi i konsideron si jetike.
Ai tha se gjatë vizitës së tij të premten në Uashington do të ketë një bisedë të gjerë e thelbësore me Presidentin Donald Trump.
Të mërkurën Presidenti Trump konfirmoi se zoti Zelenskiy do të vijë në Uashington të premten, por tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ofronin garanci të gjera sigurie.
“Unë nuk do të jap garanci sigurie të gjera, ne do t’ia kërkojmë Evropës ta bëjë këtë”, tha zoti Trump.
Marrëveshja mes Trump dhe Zelenskit që do firmoset të premten pritet t’u krijojë qasje Shteteve të Bashkuara tek pasurinë e madhe minerale të Ukrainës. “Takspaguesit amerikanë tashmë do të marrin paratë e tyre, plus (edhe të tjera)”, tha Presidenti Trump.
Presidenti Zelenskiy refuzoi një projekt-marrëveshje ofruar nga pala amerikane disa ditë më parë, duke thënë se Uashingtoni po kërkonte 500 miliardë dollarë në pasurinë natyrore të Ukrainës, në një kohë kur siç tha ai, Kievi nuk kishte marrë këtë sasi ndihme nga Shtetet e Bashkuara. Por Trump i kërkon paratë.
KOHA JONË SONDAZH

