Presidenti Trump urdhëron DASH për kontrollin e Ballkanit Perëndimor për demokracinë, korrupsionin, ….
Më 18 dhjetor 2025, Presidenti Donald Trump firmosi ligjin vjetor të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, NDAA 2026 – një akt që tradicionalisht shërben jo vetëm për buxhetet ushtarake, por edhe si dokument orientues i politikës së jashtme amerikane. Brenda këtij ligji, Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik.
Kapitulli për Ballkanin Perëndimor mban titullin domethënës “Kapitulli F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”. Qysh në hyrje, Kongresi amerikan e vendos tonin politik duke e përkufizuar rajonin si “një rajon pluralist, shumetnik, në zemër të Europës, kritik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit”.
Ky formulim sinjalizon qartë se destabiliteti në Ballkan nuk shihet si problem lokal, por si risk europian dhe transatlantik.
Demokracia si çështje sigurie, jo si retorikë
Një nga mesazhet më të forta të kapitullit për Ballkanin Perëndimor është mënyra se si SHBA e trajton demokracinë: jo si vlerë abstrakte, por si kusht funksional për stabilitetin. Teksti thekson se “paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor lidhen drejtpërdrejt me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve”.
Me pak fjalë, mungesa e zgjedhjeve reale, kapja e institucioneve dhe varfërimi i debatit publik konsiderohen faktorë destabilizues.
Ligji shkon edhe më tej duke e identifikuar korrupsionin si nyjën kryesore të krizës demokratike në rajon. Në një formulim të drejtpërdrejtë thuhet se “korrupsioni, përfshirë edhe mes drejtuesve kryesorë politikë, vazhdon të rëndojë Ballkanin Perëndimor dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe politik”. Në kontekstin shqiptar, ku korrupsioni shpesh relativizohet si “kosto e tranzicionit”, ky përkufizim amerikan e zhvesh atë nga çdo justifikim kulturor apo historik.
Po aq domethënëse është edhe fjalia tjetër: “korrupsioni dhe dezinformimi përhapen në mjedise politike të shënuara nga kontroll autokratik ose konflikt i ashpër partiak”.
Mesazhi është i qartë: përqendrimi i pushtetit dhe dobësimi i institucioneve kontrolluese prodhojnë korrupsion si rezultat të natyrshëm.
Media e lirë, instrument kundër korrupsionit
Në kapitullin për nismën antikorrupsion, SHBA kërkon të “promovojë rolin e rëndësishëm të një media të pavarur në kundërshtimin e korrupsionit”, duke e shoqëruar këtë me trajnime për gazetarinë investigative dhe angazhim të drejtpërdrejtë me qeveritë e rajonit.
Në një tjetër pjesë, Kongresi thekson nevojën për “media të pavarura” dhe për “qeverisje transparente, të përgjegjshme dhe që u përgjigjet qytetarëve”.
Në kontekstin e Shqipërisë, ku presioni ekonomik, politik dhe ligjor mbi mediat është bërë pjesë e normalitetit, ky formulim krijon një kontrast të fortë me realitetin vendas.
Kosova dhe Serbia: vijë e kuqe ndaj shkëmbimit të territoreve
Një kapitull i veçantë i kushtohet marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Kongresi amerikan e vlerëson marrëveshjen e 27 shkurtit 2023 si “një hap pozitiv drejt normalizimit”, por kërkon që palët “të bëjnë përparim të menjëhershëm në Aneksin e Zbatimit”.
Ligji e formulon pa ekuivok se SHBA “nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbim territoresh, ndarje apo forma të tjera të ridizenjimit të kufijve sipas vijave etnike në Ballkanin Perëndimor”. Arsyetimi është po aq i drejtpërdrejtë: mbështetja e demokracive pluraliste shihet si mënyra e vetme për të parandaluar rikthimin e përplasjeve etnike që dikur e karakterizonin rajonin.
Për Ballkanin, kjo përbën një garanci politike të qartë nga SHBA: pazaret territoriale përjashtohen si zgjidhje, ndërsa stabiliteti lidhet me demokracinë dhe njohjen reciproke, jo me rishkrimin e hartave.
Siguria kibernetike: shteti nën sulm pa armë
Një nga risitë më domethënëse të ligjit është pesha që i jepet sigurisë kibernetike. Kongresi paralajmëron se “cenueshmëria ndaj sulmeve kibernetike ose ndaj infrastrukturës së teknologjisë së informacionit rrit rreziqet për funksionimin e qeverisë dhe ofrimin e shërbimeve publike”.
Kjo ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pas skandaleve të fundit ku sistemet kibernetike rezultuan të ekspozuara, me dyshime serioze për keqpërdorim nga interesa private dhe grupe kriminale. SHBA e bën të qartë se kjo nuk është çështje IT-je, por çështje sigurie kombëtare. Madje theksohet se është “në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara” që vendet e Ballkanit Perëndimor të forcojnë qëndrueshmërinë kibernetike.
Për herë të parë, Ballkani trajtohet hapur si front i luftës hibride, ku zgjedhjet, shërbimet publike dhe infrastruktura digjitale janë objektiva strategjike.
Rusia, Kina dhe lufta hibride
Ligji e lidh drejtpërdrejt dobësinë e institucioneve demokratike dhe korrupsionin me ndikimin e jashtëm. Varësia nga energjia ruse përshkruhet si faktor që “ua lidh ekonomitë dhe politikat vendeve të Ballkanit Perëndimor me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre europiane”. Ndërkohë, ndikimi i Kinës shihet si rrezik potencial për konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Europën.
Për ta bërë këtë më shumë se retorikë, ligji vendos detyrime të qarta raportimi mbi operacionet keqdashëse ruse dhe kineze që synojnë të minojnë institucionet demokratike dhe të nxisin paqëndrueshmëri politike.
Afate të qarta, presion për rezultate
NDAA 2026 nuk mjaftohet me parime, por vendos afate konkrete dhe të matshme:
-
Brenda 90 ditësh, deri më 18 mars 2026, Sekretari i Shtetit duhet të raportojë për progresin e strategjisë rajonale 5-vjeçare për zhvillimin ekonomik dhe demokracinë.
-
Brenda 180 ditësh, deri më 16 qershor 2026, kërkohet raport i përbashkët mbi financimet, garancitë sovrane dhe projektet infrastrukturore.
-
Brenda një viti, deri më 18 dhjetor 2026, kërkohet raport ndërinstitucional për sigurinë kibernetike dhe mjedisin digjital të informacionit.
Përfundim
Mesazhi kryesor për Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë është i qartë: SHBA do të rrisin vëmendjen dhe përfshirjen e tyre në rajon, duke e lidhur drejtpërdrejt stabilitetin me demokratizimin real dhe integrimin europian. Po aq e rëndësishme është refuzimi i pazareve etnike dhe i lojërave me territorin e Kosovës, të cilat nuk shihen më si zgjidhje, por si rrezik strategjik.
KOHA JONË SONDAZH

