Presidenti ukrainas: “Nuk e njohim Kosovën si shtet!”. Po pse ne shqiptarët duhet të “vdesim” për Ukrainën?!

Deklarata e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se politika e Ukrainës ndaj Kosovës “mbetet e pandryshuar” është një kujtesë e hidhur për shqiptarët. Edhe pas më shumë se 18 vitesh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Kievi vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës, ndërsa e justifikon këtë me respektimin e integritetit territorial të Serbisë.

Pra Presidenti Ukrainës deklaron prerë, ndonëse me “brekë nëpër këmbë”, se nuk e njeh Kosovën, pra e quan pjesë të Serbisë. Ndërkohë kryeministri Kurti dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i shtërngojnë duart pa pikë dinjiteti. Kur nuk më njeh shtetin tim si Kosovë, e pse duhet që unë si shtet, të sakrifkojë apo të deklarojë pro teje?!

Fakti që u përsërit publikisht në Beograd, përkrah Aleksandar Vuçiqit, ka një peshë të veçantë politike dhe simbolike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Paradoksi është i dukshëm. Ukraina kërkon me të drejtë që e gjithë bota të respektojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial përballë agresionit rus. Ajo kërkon solidaritet politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak nga partnerët e saj. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë ndër mbështetëset më të vendosura të Ukrainës. Prishtina iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë, strehoi gazetarë ukrainas dhe mbështeti publikisht kauzën ukrainase në çdo forum ndërkombëtar. Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe në koordinim me partnerët perëndimorë, ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën në forumet ndërkombëtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por kur vjen fjala te Kosova, Ukraina vazhdon të mbajë një standard tjetër.

A mund të kërkosh solidaritet të pakushtëzuar nga të tjerët, ndërkohë që nuk je i gatshëm të rishikosh një politikë që prek drejtpërdrejt një popull që ka qenë në anën tënde?

Ky është një debat legjitim. Nuk është një debat kundër Ukrainës dhe as një relativizim i agresionit rus. Është një debat mbi koherencën e politikës së jashtme.

Deklarata e Zelenskyt në Beograd u prit pozitivisht nga Serbia, sepse konfirmon se një shtet i rëndësishëm si Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Nga këndvështrimi i Beogradit, ky është një sukses diplomatik. Nga këndvështrimi i Prishtinës, është një zhgënjim.

Shqipëria dhe Kosova kanë të drejtë të shtrojnë një pyetje të drejtë në marrëdhëniet me Kievin: nëse ne kemi qenë ndër mbështetësit më të vendosur të Ukrainës në momentet e saj më të vështira, a nuk meriton edhe Kosova një rishqyrtim serioz të qëndrimit ukrainas?

Marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen mbi interesa, por edhe mbi reciprocitet politik. Solidariteti është më i fortë kur shkon në të dy drejtimet.

Prandaj, deklarata e Beogradit duhet të shërbejë si një sinjal për diplomacinë shqiptare dhe atë të Kosovës. Mbështetja për Ukrainën nuk duhet të vihet në diskutim si parim, por ajo duhet të shoqërohet me një dialog më të hapur dhe më këmbëngulës me Kievin për çështjen e njohjes së Kosovës. Miqësia e vërtetë nuk matet vetëm me deklarata mbështetjeje, por edhe me gatishmërinë për të dëgjuar dhe respektuar interesat thelbësore të njëri-tjetrit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 3314 (72.3%)
Jo 1268 (27.7%)

Vota totale: 4582