Priten arrestime në ministrinë e arsimit për çështjen “Kristal”
Prangat po vringëllojnë për dosjen “Kristal”. Prokurorët e Tiranës kanë këqyrur regjistrat e dorëzuar nga universiteti “Kristal”, pasi u mbyll në vitin 2014. Ky veprim hetimor është zhvilluar për të konfirmuar nëse për shitjen e diplomave, ka apo jo brenda këtij institucioni bashkëpunëtore ish-pronari i “Kristalit”, Ahmet Muçaj.
Ndërkohë, diploma e sekuestruar gjatë arrestimit të 69-vjeçarit është dërguar në laboratorin e kriminalisikës për të marrë një përgjigje shkencore nëse ky dokument është falsifikuar apo jo.
Diploma ka të dhëna të rreme si nisje të vitit akademik 2010 dhe vit përfundimi 2013, pra pak kohë përpara se universiteti të mbyllej, ndaj ajo që duan të kuptojnë prokurorët është nëse ky dokument lëshohej me ndihmën e ndonjë personi që ka akses në regjistrat e bllokuar apo është tërësisht fals.
Pavarësisht dyshimeve, paraprakisht grupi i hetimit konstaton se numri i amzës së diplomës së blerë nga shtetasja Rudina F. është shkruar bojë të njomë. Ndërkohë që firmat e dekanit dhe e kancelarit janë realizuar përmes procesit të skanimit.
Fotokopjimi i firmës së Arben Llojes shton dyshimet se diploma është false dhe e prodhuar në një laborator nga persona të paidentifikuar. Por që të binden plotësisht për këto pikëpyetje prokurorët dhe oficeret e krimit ekonomiko financiar duhet të krahasojnë edhe regjistrat që universiteti kristal dorëzoi menjëherë pasi u mbyll, pra në vitin 2014.
Ne po hetojmë, shpjegoi një burim edhe dy raste të tjera, për të cilat dy qytetarë kanë parapaguar, për të blerë një diplomë, njëri për juridik dhe tjetri për farmaci. Por si provë kryesore është diploma e shtetases Rudina F. e cila pagoi 2500 euro në dy këste dhe që u infiltrua nga autoritetet. Ish-pronari Ahmet Muçaj do të dalë të mërkurën para gjykatës për veprën e falsifikimit të dokumenteve dhe korrupsionit pasiv në sektorin privat.
Vepra e fundit rendon mbi të, pasi gjatë referimit fillestar dyshimet i orientonin hetuesit edhe drejt personave të tjerë.
Ministria e Arsimit mohon kategorikisht se ka regjistruar diploma të falsifikuara nga Universiteti Kristal pas mbylljes së tij në vitin 2014.
“Ministria e Arsimit refuzon kategorikisht aludimet se ka regjistruar diploma të falsifikuara që i përkasin institucioneve që janë mbyllur, pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në vitin 2014. Ju bëjmë me dije se nga 1 shtatori 2014, asnjë nga këto universitete nuk ka pasur të drejtë të lëshojë asnjë diplomë ndaj studentëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Sipas Ministrisë, Universiteti Kristal refuzoi që të dorëzojë regjistrat me emrat e studentëve. “Universiteti “Kristal” nuk pranoi të dorëzojë regjistrat sipas kërkesës zyrtare. Pas kallëzimit që iu bë këtij universiteti për këtë shkelje të radhës, ndërhyri prokuroria dhe i sekuestroi regjistrat. Pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, regjistrat u depozituan në arkivin e Ministrisë së Arsimit”, vijon deklarata.
Që prej mbylljes së Universitetit Kristal, Ministria e Arsimit thotë se ka marrë në shqyrtim disa kërkesa për vlefshmërinë e diplomave.
“Institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar të dinë nëse diplomat që kanë marrë nga ky universitet janë të vlefshme apo të falsifikuara. Në Ministri kanë mbërritur kërkesa për këtë verifikim, por në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon”, mbyll reagimin e vet MAS.
Burime nga Prokuroria thonë se do ketë arrestime nga kupola e ministrisë së arsimit. Pritet që këto ditë prokuroria të kërkojë edhe dëshminë e ministres se arsimit Lindita Nikolla dhe ish-sekretarit të përgjithshëm Plarent Ndreca. Ka dyshime se i arrestuari ka treguar se me cilët ka bashkëpunuar në ministrinë e arsimit, ndaj prokurorët po hetojnë me intensitet në këtë dosje manipulimi, sipas tyre.