Prokurori shqiptaro-amerikan: Jam i turpëruar nga drejtësia shqiptare

Gjon Juncaj, këshilltari juridik i Ambasadës amerikane, ka folur për drejtësinë në Shqipëri jo vetëm ekspert amerikan, por edhe si një shqiptar. Në aktivitetin “TED EX Tirana”, me moton: “E vërteta e zhveshur është gjithmonë më e mirë se çdo gënjeshtër e veshur bukur”, shqiptaro-amerikani, Gjon Juncaj ka folur për përshtypjet e tij gjatë misionit në Shqipëri. Juncaj është pjesë e misionit OPDAT për reformën në drejtësi dhe ka njohur nga afër gjithë problematikën e sistemit në Shqipëri.

Dhe kur flet për gjykatat shqiptare ai është i drejtpërdrejtë kur thotë se është ndjerë i turpëruar.  “Nëna ime ishte e fiksuar për drejtësinë. Ajo thoshte se, nëse bën diçka gabim, do të kesh probleme. Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë njerëz viktima të pafajshëm të lënë të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë se sa këtu në Shqipëri. Jam veçanërisht i turpëruar sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë, sepse është lënë të bjerë shumë poshtë”, ka thënë Juncaj.

Megjithatë, këshilltari juridik i Ambasadës amerikane që ka qenë i angazhuar drejtëpërsëdrejti me reformën në drejtësi thotë se ka shpresë, por që në këtë betejë të vështirë duhet të jemi të gjithë bashkë. “Por kam një ndjenjë që dua ta ndaj me ju, ajo është shpresa. Nuk mund t’ja dalim nëse nuk bëheni të gjithë bashkë. Duhet të kuptoni një gjë. Ju keni zë. Jeni shumë, ndërsa ata janë pak. Ka ardhur koha për të ndërtuar një vend për të cilin duhet të jeni krenarë”.

Juristi Juncaj familja e të cilit është me origjinë nga Malësia e Madhe, shpreh shqetësim dhe për largimin e shqiptarëve nga atdheu i tyre. “Dua të jem i ndershëm me ju. Jam i turpëruar për ata njerëz të pafytyrë, që kanë shkaktuar dhembje për njerëzit në disa sektorë, si në kujdesin shëndetësor dhe në atë të edukimit. Njerëzit kanë nevojë të shkollohen, pavarësisht kush janë”, tha Juncaj, i cili ishte një nga dhjetë folësit e eventit të që përcolli ide dhe mesazhe frymëzuese për publikun duke rrëfyer nga një histori të tyre.

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=1XCUezslqGE&t=603s” width=”560″ height=”315″]

SHKARKO APP