Prokuroria do hetojë drejtuesit e Bashkisë për fallsifikim
Kryesore E Hënë, 19 Prill 2021 20:03
Prokuroria e Tiranës bën gati fletë-thirrjet për të gjithë emrat që efektivi i policisë bashkiake Besmir Karaj, ka dhënë në kallëzimin e tij, në lidhje me falsifikimin e shkrimit në gjobën e vendosur ndaj Partisë Demokratike.
Grupi hetimor, pas administrimit në dosje të akt-ekspertimit krahasues e grafik të Laboratorit të Policisë Shkencore, bën gati listën e personave që do të pyetën për llogari të dosjes, njofton abcnews.
Burimet thonë se i pari që do të thirret, është drejtori i policisë bashkiake Ermal Kapllani dhe një nga përgjegjësit e grupeve të policisë, që ka në varësi direkt kallëzuesin Besmir Karaj.
Thirrjes së prokurorisë, mësohet se nuk do ti shpëtoj edhe shefja e kabinetit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, znj. Anuela Ristani, emrin e të cilës e ka dhënë në kallëzim inspektori Karaj.
Sipas prokurorisë, pas marrjes në pyetje nuk përjashtohet mundësia edhe e marrjes së shkrimit grafik e krahasues të këtyre personave, për të ekzaminuar me shkrimin e vendosur në flet-gjobën ndaj Partisë Demokratike e cila rezultoi se nuk është e inspektorit Karaj por është e falsifikuar.
Ekspertët në raportin e dorëzuar në prokurori, kanë specifikuar se në flet gjobën orgjinale të bllokut të inspektorit Karaj, vetëm firma është e tij. Ndërsa shkrimi që është plotësuar gjoba me 16 mln lekë ndaj partisë demokratike nuk është e inspektorit kallëzues, por e falsifikuar.
Burimet pranë grupit hetimor, thonë se polici bashkiak Besmir Karaj gjatë deklarimeve në prokruori, ka shpjeguar pasditën e datës 8 dhjetor, eprori i tij me kërkesë të shefit të policisë bashkiake dhe shefes së kabinetit I kanë marr bllokun e gjobave.
Disa orë më pas, ai ka deklaruar se fletë-gjoba e firmosur prej tij është publikuar nga kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj në rrjetin e tij Facebook, ku njoftonte vendosjen e gjobës ndaj partisë demokratike. Ai ka deklaruar që nuk është ai personi që i ka vendosur gjobë subjektit partiak dhe për këtë fakt ka kallëzuar në prokurori falsifikimin e nënshkrimit.