Prokuroria e Përgjithshme fillon hetimin për kryebashkiakun e Krujës

Nuk ndalon Prokuroria. Heton edhe Artur Bushin kryetarin e Bashkisë së Krujës i PS-së, i cili ka deklaruar se ka përdorur pesë emra të ndryshëm para se të bëhej kryebashkiak. Prokuroria ka marrë nga KQZ dosjen e tij dhe ka filluar hetimet për aktivitetin e tij para se të zgjidhej.

Pas Elvis Rroshit të Kavajës, i cili dha dorëheqjen para pesë ditëve ndërsa dje e tërhoqi dorëheqjen dhe do të kthehet në detyrë, Prokuroria po heton çdo politikan apo të zgjedhur në lidhje me historitë e tyre kriminale.

Flitet se do të fillojnë hetimet edhe për tre deputetë, dy të PS dhe një të PD.

Me sa duket Prokuroria nuk do të ketë pushime verore duke hetuar krimin që ka hyrë në politikë.

NJOFTIMI I PROKURORISE

Struktura “Për Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të kryejë verifikimin paraprak të formularit të vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin” të kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.

Prokuroria e Përgjithshme është vënë në dijeni nga struktura ligjzbatuese mbi disa të dhëna, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar lidhur me të shkuarën e këtij subjekti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, verifikimi paraprak kryhet nga institucioni që i administron formularët, që në rastin konkret është KQZ-ja. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme i drejtohet këtij institucioni për të kryer verifikimin fillestar. Pas këtij verifikimi, materiali duhet t’i përcillet Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat e saj, sipas përcaktimeve ligjore.

Ndërkohë, Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme po kërkon informacione mbi kallëzimin e bërë nga një grup deputetësh, në ngarkim të subjektit Flamur Noka. Kallëzimi është shoqëruar me një material, i cili nuk mund të konsiderohet provë dhe është i paqartë. Për këtë arsye, Prokuroria do të kërkojë materiale shtesë në strukturat e specializuara, për të vlerësuar nëse ka vend ose jo për hetim të mëtejshëm.

VETEDEKLARIMI  ARTUR BUSHIT (Kliko per ta lexuar)

SHKARKO APP