Prokuroria nis hetimet për Elvis Rroshin: Fshehu dënimin në Itali

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur sot hetimet për kryebashkiakun e dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi. Në një njoftim për mediat, Prokuroria bën me dije se hetimi ka nisur pasi Rroshi dyshohet se veprën penale “falsifikim dokumentesh” në formularin e vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin”

Njoftimi i Prokurorisë

“Struktura “Për Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin dhe është regjistruar kryesisht hetimi për kryetarin e dorëhequr të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “Fallsifikimit të dokumentave” në procesin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”,

Sektori i posaçëm në Prokurorinë e Përgjithshme nisi verifikimin, në bazë të të dhënave të vetëdeklaruara nga subjekti Rroshi në formularin e publikuar tashmë, si edhe në sqarimin publik të bërë nga vetë subjekti, lidhur me shkaqet e dorëheqjes së tij. Në këto kushte, u urdhërua nisja e hetimit për veprën penale të “Fallsifikimit të dokumentave”.

Në bazë të verifikimeve paraprake, Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme konstaton se subjekti Elvis Rroshi nuk ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit dënimin e dhënë nga autoritetet italiane disa vite më parë. Fakti që ka qenë i dënuar nga autoritetet italiane, është pranuar publikisht edhe nga vetë subjekti”.

SHKARKO APP