Prokuroria: Paratë në makinën e Orest Sotës janë të Saimir Tahirit

Gjykata për Krimet e Rënda vendosi sot të lërë në burg biznesmenin Orest Sota. 25-vjeçari u ndalua në Elbasan në 3 nëntor nga Policia. Në makinën me të cilën udhëtonte ju gjetën mbi 800 mijë euro para të thata dhe dy leje lundrimit të ish-ministrit, Saimir Tahiri.

Vendimi i sotëm i Gjykatës për Krime të Rënda u dha pas kërkesës për rivlerësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Elbasanit.

Në procesin e sotëm, zhvillimi i ri ka qenë këmbëngulja e Prokurorisë për provat që implikojnë biznesmenin Sota dhe ish-ministrin Tahiri, si dhe përmendja e disa përgjimeve. Sipas prokurorëve dyshohet se paratë e gjetura në makinën e 25-vjeçarit janë të Saimir Tahirit. Në seancë prokurorët kanë deklaruar se burimi i parave mund të jetë aktiviteti i jashtëligjshëm i ish-ministrit Tahiri. Në këtë mënyrë, prokurorët e kanë lidhur çështjen e biznesmenit me dosjen e hapur të ish-ministrit për  ‘trafik droge” dhe “korrupsion”.

Sipas prokurorisë një sasi prej 250 euro në thesin e madh të 863 mijë eurove, ishin false.

Ndërkohë avokati mbrojtjes i Orest Sotës, Fatmir Braka deklaroi se paratë janë të ligjshme dhe produkt i biznesit të pastër të familjes. Lidhur me lejet e lundrimit të ish-ministrit, avokati tha se ato janë harruar aty nga shoferi i Tahirit. Mbrojtësi ligjor Orest Sotës tha se klienti i tij nuk kishte dijeni për patentat. Avokati ka folur dhe për përgjime që verifikojnë pretendimet e klientit të tij.

Avokati Fatmir Brakaj thotë se ato janë të justifikuara, pasi përdoren për aktivitetin e biznesit të familjes. “Paratë janë tërhequr kesh, pasi janë paguar të gjitha detyrimet e tatimeve. Ne paraqitëm prova në Gjykatë, për rastin. Bëhet fjalë vetëm për para të ligjshme, të Sotës. Shoferi i ish-ministrit ka pranuar që ka bërë një gabim shumë të madh që ka harruar patentat aty. Sota nuk ka patur dijeni për patentat që ndodheshin në makinën e tij. Madje ai ka shfaqur habi kur policia ka gjetur patentat në makinë. Ai ka njohje me ish-ministrin. Ka njohje edhe me shoferin e Tahirit, por kjo nuk do të thotë se ka lidhje me patentat që u gjetën aty. Do të ishte mirë që prokuroria të bëjë hetime objektive”, u shpreh avokati i biznesmenit Sota.

Si pjesë e pretendimeve të Orest Sotës, avokatët kanë paraqitur dhe një deklaratë që biznesmeni Lefter Sota, i ati i Orestit, ka dorëzuar në organin e akuzës. Në këtë deklaratë shpjegohet me fatura burimin e 863 mijë eurove, si edhe bashkëpunimin mes shoqërisë “Ikona” dhe kompanisë “Kurum”.

Në seancë janë paraqitur disa përgjime ambientale të të akuzuarit me shoferin e tij Leonard Almeta, të cilin Sota e pyet se si ka mundësi që dy patentat e ish-ministrit ndodhen në makinë e tij. Shoferi i përgjigjet Sotës se patentat i ka lënë aty shoferi i ish-ministrit, Gentian Caka.

Pjesë nga bisedat e zbardhura:

Sota: Kush i ka lënë aty patentat e ish-ministrit Tahirti?

Leonard Almeta: I ka harruar Gentian Caka (shoferi i Tahirit)

Sota: Si i ka lënë ai aty ato..

Leonard Almeta: Kot pa lidhje i ka lënë…

Më pas ka edhe një përgjim tjetër ku shoferi i Tahirit flet me shoferin e Sotës dhe pranon që patentat t’i ketë lënë ai në makinë.

Po ashtu, avokatët kanë paraqitur dhe bisedat e Orest Sotës më të atin para dhe pas ndalimit nga policia. Sipas avokatëve, bisedat konfirmojnë se shuma e paratë ishin të tyre dhe do të përdoreshin për blerjen e një sasie hekuri.

Biseda ne aplikacionin “Whatsapp” mes Orest Sotës dhe të atit të tij, Lefter Sota

SHKARKO APP