Prokuroria sekuestron dokumentet, pritet ndalimi i Ministrit Beqaj
Prokuroria ka kërkuar sot sekuestrimin e të gjitha dokumenteve të Ministrisë së Shëndetësisë për koncesionet që janë dhënë nga ky institucion. Hetimi ka të bëjë me tre koncesione, me vlerë 306 milionë euro, për të cilat ka pasur akuza dhe nga opozita për abuzime. Hetimi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë ka nisur prej gati një muaj. Pas verifikimit të dokumentacionit pritet që prokuroria, nëse do të zbulojë shkelje, të kërkojë dhe masa ndaj titullarëve që kanë firmosur dhe konkretisht ministrit Ilir Beqaj.
Sekuestrimi i dokumentacionit është kërkuar rreth një muaj pas nisjes së hetimeve nga njësia “task-force” e Prokurorisë së Tiranës lidhur me koncensionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë. Mesditen e së martës, prokurorët i janë drejtuar me një shkresë zyrtare dikasterit të drejtuar nga Ilir Beqja për të sekuestruar të gjitha dokumentet e këtyre koncesioneve, raporton Top Channel.
Hetimi i organit të akuzës është fokusuar në tre koncensionet e shumëpërfolura, ai i “Check up”-it falas me vlerë rreth 120 milionë euro, sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe ai për shërbimin e hemodializës me vlerë 86 milionë dollarë.
Të tre këto koncensione janë denoncuar disa herë nga opozita, e cila ka drejtuar gishtin e akuzës direkt mbi ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, si i përfshirë në këto afera, të cilat ajo i cilëson korruptive.