Pronarët e basteve kërcënojnë deputetin Erion Braçe, kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë

Edi Rama deklaroi prerë se nuk do lejojë më baste sportive dhe kazino elektronike, këto të fundit vetëm hotele me 5 yje.

Vendimi i qeverisë ka hapur një valë debati pro dhe kundër, ndërkohë që deputeti socialist Erion Braçe tregon presionet që vijnë nga biznesmenët që kanë në pronësi kompanitë e basteve.
Në një lidhje telefonike për gazetarin Flavio Qarri, në emisionin ‘Kafein’ në Intv, Braçe ka thënë se çdo ditë merr të paktën 20-25 mesazhe kërcënuese nga këta biznesmenë.
Braçe, ka sqaruar edhe vendimin e qeverisë për mbylljen e basteve.
“Nuk ka ditë që nuk marr 20-25 mesazhe nga njerëz të kësaj industrie në këtë vend, janë kthyer në sms të neveritshme dhe që ushtrojnë presion mbi deputetin e kuvendit me lloj -lloj formash. Ata nuk mund të më presionojnë, pasi secili që ka shkruar, ka marrë përgjigje të qartë, pra mbyllja e të gjitha aktiviteteve të basteve sportive. Mbyllja e aktiviteteve të basteve sportive, lojërave online, nëpër lagje etj., ajo që kam propozuar është se shteti që do vendosë si do organizojë këtë aktivitet në rast se do ekzistojnë.
Edhe kazinotë duhet t’i nënshtrohen një tatimi të ri. Me ligj, kazinotë duhet të zhvendosen nga zonat e banuara, nuk jam dakord me tatimit që kanë. Kam parë normat e fitimit të tyre dhe jam i llahtarisur arrijnë deri në 49%. Me këto norma duhet një tatim mbi fitimin e tyre dhe thuajse konfiskues”- thotë deputeti Erion Braçe, i cili është edhe kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë. Deputeti Braçe shquhet për kurajon e tij dhe burimet afër tij thonë se nuk ia ndjen fare nga presionet.

Me sa duket presionet e pronarëve të bastëve sportive kanë bërë efekt te kryeministri Rama pasi ishte më i kujdesshëm te emisioni i gazetares Rudina Xhunga, kur tha nëpër dhëmbë se bastet online do lihen për një kohë të dytë.

SHKARKO APP