Propozime të dyshimta të PD

Mënjëherë pas disfatës shkatërruese elektorale të 25 qershorit, Partia Demokratike është në kërkim të një modeli të ri opozitar. Mënyra opozitare që ndoqi Lulzim Basha në 4 vitet e para të opozitës rezultuan të ishin humbëse. Për të qenë realist jo shumë për fajin e tij sepse mori një PD të shkërmoqur dhe ku një pjesë e lidershipit punonte si ti fusnin shkopinjë ndër rrota kryetarit. Dhe së dyti, humbjen dërmuese ia dha vetë Lulzim Basha me marrëveshjen e datës 18 maj me kryeministrin Rama. Kjo e vulosi humbjen. Pyetja sillet rrotull në selinë blu që nëse marrëveshjen e diktoi ish-lideri Berisha apo vetë Basha, por konkluzioni mbëtet se e theu PD-në si forcë kurajoze, duke ia shkallmuar shtyllën kurrizore të 27 viteve.
Në vend të një analize për humbjen dhe ideve për ringritjen e PD, zëra të veçantë në selinë blu kanë hedhur në diskutim disa teza të dyshimta. Në këto dy muaj, në selinë e PD janë dy ide që kanë gjetur hapësira diskutimi në media duke treguar se pas tyre nuk janë thjeshtë dy deputetë, por linja dhe rryma të forta vendimmarrëse në Partisë Demokratike. Le ti marrim me radhë.
Ideja më e re është ajo e deputetit të Shkodrës, Romeo Gurakuqi. Në një shkrim autorial pedagogu që bën pjesë te deputetët e rinjë të PD-së, hidhte idenë e një bashkëqeverisje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Gurakuqi vendoste si kusht për këtë bashkëqeverisje largimin e Ramës si Kryeministër dhe drejtimin e qeverisë nga një figurë e shoqërisë civile (naturisht e PS) me ministra të PD dhe PS. Një ide e tillë do ishte shumë normale nëse propozohej gjatë ditëve kur PD protestonte në Çadrën para Kryeministrisë. Vetë Basha, në fjalimet e tij, e përmendi disa herë nevojën e një qeverie të tillë. Problemi është se sot nuk ka më çadër të PD, opozita hyri në zgjedhje bashkë me ministrat teknikë dhe me marrëveshjen Rama-Basha. Më kryesorja mbetet se Edi Rama i ka marrë zgjedhjet i vetëm. Ai ka marrë 74 deputetë dhe i bie muzikës tepsi-timon, ndaj nuk ka nevojë më as për PD. Por nëse ka ndonjë lojë që e ysht Basha me Ramën, sepse pazari vazhdon, atëhere problemi është më i thellë se sa propozimi Gurakuqi. Gjithsesi ky propozim i deputetit Gurakuqi u konsumua gjatë këtyre tre muajve dhe solli rezultatin më negativ politik në historinë e PD-së. Ndaj të kërkosh sot një bashkëqeverisje PS-PD duket ideja më shkatërruese për të djathtën dhe opozitën. Sidomos për PD-në. Nuk është çudi që një propozim i tillë të merret seriozisht në PD. Vetëm se nëse PD-ja e hedh këtë hap, atëhere kur në 25 qershor mori 43 deputetë, në zgjedhjet e ardhshme mund të asgjësohet nga skena politike. Veç llogarive politike, kjo ide ka dhe një problem shumë të madh moral. PD ka disa javë që deklaron se Edi Rama dhe ministrat na vodhën zgjedhjet. Raporti i ministrave teknikë të PD-së shkruan se grupet kriminale ndikuan në blerjen e votës për Partinë Socialiste. Nëse demokratët besojnë në ato që thonë dhe shkruajnë, si ka mundësi të qeverisin sërish me një parti që u vodhi votat? Është jashtë logjikës politike, por edhe ligjore. Nëse ministrat e PS dhe Edi Ramën, demokratët i akuzojnë si “manipulues të votave”, përse PD kërkon të ndaj pushtetin me “vjedhësit dhe trafikantët e zgjedhjeve”? Është shqetësuese për PD që pas gjithë disfatës dhe humbjes turpëruese që Edi Rama dhe PS i sollën opozitës, në këtë parti ka ende njerëz që besojnë se e vetmja mënyrë për të fituar është bashkëqeverisja.
Ideja e dytë që ka prodhuar Partia Demokratike në këto dy muaj është ajo e votimit me detyrim. Thelbi i saj synon që meqenëse shqiptarët nuk morën pjesë në votime, ti detyrojmë, me ndryshimin e Kushtetutës, që duhet të shkojnë në kutinë e votimit. Pra votim me detyrim. Një propozim i tillë nuk ka ardhur nga figura dytësore, por nga nënkryetari i PD, Edmond Spaho. Është një ide që duket se del nga paradhoma e Lulzim Bashës dhe vlen të merret në konsideratë.
Së pari, tregon se pas disfatës PD-ja është e aq dëshpëruar sa kërkon të kthehet kundër qytetarëve. Në shenjë hakmarrje ndaj atyre që nuk dolën në votime, opozita propozon që t’i sjellë me forcë në kutinë e votimit. Por para se të shkojë drejt këtij projekti, PD duhet të analizojë se përse shqiptarët nuk dolën në ditën e zgjedhjeve. Arsyeja është e thjeshtë. Nuk i bindi qeveria, por nuk i bindi as opozita. Për PD ka edhe një të vërtetë më të hidhur. Shumica e atyre që refuzuan pjesëmarrjen në zgjedhje janë anëtarë dhe votues të PD. Nëse demokratët nuk kanë dalë të votojnë për selinë blu, ky është një problem që duhet parë brenda PD-së dhe jo tek gjithë shqiptarët.
Së dyti, ky propozim është shqetësues dhe për nivelin e demokracisë që duam në të ndërtojmë në vend. Votimi me detyrim është aplikuar në shumë pak shtete, dhe jo në ato vende që Shqipëria i ka marrë si model. Votimi është një detyrim qytetar, por nuk mund të kthehet në një detyrim ligjor dhe me penalitete. Edhe mos pjesëmarrja në zgjedhjet është një lloj “votimi”. Qytetari zgjedh të mos shprehet për asnjë subjekt politik, pasi asnjë parti nuk e bind që të shkojë të votojë. Votimi me detyrim ngjan më shumë me autokracinë sesa më vendet demokratike.
Bashkëqeverisja më PS dhe votimi me detyrim janë të vetmet ide që PD ka prodhuar këto dy muaj. Përveç se janë propozime të dyshimta, tregojnë se mandati i dytë në opozitë i PD-së do të jetë edhe më i vështirë. Një opozitë lufton që një ditë të drejtojë vendin, por në PD po e quajnë sukses nëse marrin disa ministra nga PS dhe Rama. Qëndrime të tilla për bashkëqeverisje largojnë nga PD edhe ata pak demokratë që besojnë se një ditë do vijnë në pushtet. Opozita krijon frymën kundërshtuese dhe programin qeverisës më të mirë se kundërshtari. Pas kësaj janë qytetarët ata që e ndjekin dhe e votojnë. Por PD nuk krijon dot as frymën opozitare dhe as programin. Në vend të kësaj, propozon të penalizojë qytetarë duke i çuar me forcë në votime.
PD-ja duhet të konturohet si forcë opozitare, siç po bën LSI. Bile LSI po tregon forcë dhe vitalitet me shumë se vetë PD-ja. Lulzim Basha dhe selia blu nuk kanë zgjidhje tjetër veçse front të madh opozitar nëse duan të mbrojnë demokracinë dhe vetveten. Nuk vjen kurrë në pushtet PD me lojën e Ramës për ndryshimin e sistemit zgjedhor që synon të kap një sistem ku PS të dalë e parë. PD duhet të dalë në shesh të mejdanit dhe të kujtojë kohët e arta të Berishës kur bënte opozitë. Ndryshe, me makinacione apo lojëra prapë me PS, e sigurtë që në zgjedhjet e tjera me shumë deputetë do të marrë Qifja i Elbasanit se sa PD.

S.P.

SHKARKO APP