Protesta e 11 majit po vjen. Ndërkombëtarë, ndërhyni! Me 12 maji do jetë vonë!

-Nëqoftëse deri me datë 10 maj kryeministri Rama nuk gjen rrugën e arësyes, atëhere do të ketë përplasje nga e cila do pendohemi, të nesërmen me 12 maj. Ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë shpejt, pasi më pas nuk ka “operacion ALBA” që shpëton sherrnajën në vend.

-Me negociata për në Bashkimin Europian, të bllokuara, me opozitë jashtë Parlamentit, me qytetarët në rrugë dhe me një krizë institucionale që po shkatërron shtetin, çdo ditë e kësaj qeverie në detyrë sjellë vetëm përkeqësimin e situatës. Pas shuplakës që mori në Berlin, Edi Rama ka edhe një mundësi për të treguar se është politikan që mendon për shtetin dhe jo për pushtetin. Të jap dorëheqjen duke i hapur udhën krijimit të një qeverie për zgjedhje të parakohshme parlamentare, me konsensus pozitë-opozitë.

Protesta e radhës e opozitës, e planifikuar për në 11 maj, pritet të jetë krejt ndryshe nga ato që janë zhvilluar deri më sot. Paralajmërimi për një tubim të fortë dhe me objektiva të qarta është dhënë dje nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar me strukturat e partisë demokratike në Farkë të Tiranës. “Kjo bandë kriminale më datë 11 maj do të dëbohet. Ka ardhur koha që të bëhet e qartë, si e ndarë me thikë, dallimi mes një bande kriminale në pushtet dhe asaj që ne duam të bëhet kur të qeverisim nesër. Kjo bandë me në krye Ramën bashkëpunon me krimin, kurse ne premtojmë dhe realizojmë sipas standardeve më të mira europiane”, tha kreu i PD-së, Basha.

Thirrja për dëbimin e qeverisë me protesta është hera e parë që bëhet në mënyrë direkte nga ana e kreut të opozitës, Lulzim Basha. Në protestat që ka organizuar deri më sot opozita, drejtuesit e saj kanë dhënë mesazhe revolte, por kanë hezituar të flasin për një përballje që do të sjellë largimin e qeverisë me anë të protestave. Tre muaj nga djegia e mandateve të deputetit duket se opozita ka vendosur të radikalizojë qëndrimin e saj duke kaluar në thirrje për ta larguar me çdo kusht kryeministrin. Përshkallëzimi i protestave vjen si pasoje e reagimit të qeverisë, e cila në asnjë rast nuk ka treguar gatishmëri për të negociuar dhe për të gjetur zgjidhjen e krizës. Djegies së mandateve, aktit më ekstrem që një opozitë ka marrë ndaj qeverisë, kryeministri Edi Rama iu përgjigj me zëvendësimin e deputetëve të PS dhe LSI me emra anonimë dhe kandidatë të blerë nga fundi i listave. Thirrjet për dialog dhe negociata që vijnë nga krerët e opozitës, PS-ja i ka injoruar duke vijuar me përgatitjet për zgjedhje lokale pa opozitën.

Më shumë se kaq, në mungesë të opozitës reale në Kuvend qeveria po shpik grupime opozitare, të cila nuk janë kundër qeverisë siç ndodh në gjithë botën, por janë kundër partive të vërteta opozitare. Protestave masive dhe paqësore, që në çdo vend normal janë sinjali se qytetarët duan ndryshimin e qeverisjes, PS dhe kryeministri u janë përgjigjur me gaz lot sjellës, arrestime, rrahje dhe dënime me burg. Në këtë situatë, kur opozita kërkon negociata dhe merr shkopinj gome nga policia, e vetmja mënyrë për të ndërgjegjësuar qeverinë është që protestat të mos jenë më thjesht manifestime. Përballë një qeverie që dhunon qytetarët dhe po shkatërron çdo qelizë të demokracisë në vend, tubimet herët apo vonë do të kthehen në revoltë.

Për dreq, ne shqiptarët, revoltën e plasim e kthejmë në luftë!

Dhe testi se sa mund të durojnë shqiptarët eksperimente në kurrizin e tyre është me 11 maj. Basha e paralajmëroi se në Shqipëri nuk ka më çështje politike me qeverinë, por një betejë me krimin dhe bandën që sipas tij drejton qeverinë. Të njëjtin qëndrim me PD ka dhe LSI, partia e dytë në koalicionin opozitar, e cila ka kërkuar prej kohësh përshkallëzimin e aksionit opozitar. Bile Monika Kryemadhi ka kërkuar që nëse Rama nuk hap udhë një qeverie e cila të garantoje stabilitet dhe zgjedhje të lira, atëhere populli ta tërheqë zvarrë si bustin e diktatorit Enver Hoxha.

Në shumë argumente që opozita ka kundër qeverisë “Rama” ditët e fundit është shtuar dhe një tjetër. Fjala është për integrimin në Bashkimin Europian. Protestat e opozitës janë sulmuar nga qeveria dhe një pjesë e opinionit si lëvizje e gabuar për shkak të dëmit që mund t’i sjellin vendit për hapjen e negociatave. Këto ditë në Berlin, në samitin e vendeve të rajonit Shqipëria mori notë negative dhe asnjë datë për hapjen e negociatave. Ajo që vihet re në mesazhet kritike që qeveria “Rama” mori nga Gjermania e Franca është se në asnjë rast nuk fajësohet opozita. Zyrtarët e Bundestagut nuk fajësojnë opozitën shqiptare, por në mënyrë të qartë drejtojnë gishtin nga qeveria duke e akuzuar për mungesën e reformave, korrupsionin, keqqeverisjen dhe sigurisht edhe moszgjidhjen e krizës së rëndë politike.

Qeveria “Rama” dështoi me integrimin e vendit në BE dhe vetëm kaq mjafton që çdo kryeministër të rishikojë pozicionin e tij në detyrë.

Me negociata për në Bashkimin Europian, të bllokuara, me opozitë jashtë Parlamentit, me qytetarët në rrugë dhe me një krizë institucionale që po shkatërron shtetin, çdo ditë e kësaj qeverie në detyrë sjellë vetëm përkeqësimin e situatës. Pas shuplakës që mori në Berlin, Rama ka edhe një mundësi për të treguar se është politikan që mendon për shtetin dhe jo për pushtetin. Të jap dorëheqjen duke i hapur udhën krijimit të një qeverie për zgjedhjet me konsensus pozitë-opozitë.

Është momenti për të bërë hapin e madh që i kërkohet prej kohësh duke pranuar se dështoi edhe në Berlin ndaj ai duhet të kërkojë që shqiptarët ta gjykojnë me votë. Pra me zgjedhje të parakohshme. Në të kundërt, nëse vijon me idenë e çmendur të zgjedhjeve pa opozitën, vetëm sa do shkatërrojë përfundimisht vendin duke e çuar në konfrontim social me 30 qershor.

Nëse deri me datë 10 maj kryeministri nuk gjen rrugën e arësyes, atëhere do të ketë përplasje nga e cila do pendohemi, të nesërmen me 12 maj.

Ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë shpejt, pasi më pas nuk ka “operacion ALBA” që shpëton sherrnajën në vend.

 

 

 

 

 

Qamil Xhani

SHKARKO APP