Protesta e orës 19:00, mes shiut dhe shantazheve të Kryeministrit Rama

Pas pak minutash opozita do të nisë protestën kombëtare para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Megjithë reshjet e mëdha të shiut sot në Tiranë, të dhënat e para flasin për një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të qytetarëve. Në këtë protestë, banorët e kryeqytetit pritet të jenë shumë më tepër në numër se në tubimet e tjera. Ndërkohë, raportimet që vijnë nga rrethet tregojnë se mijëra qytetarë janë nisur nga të gjitha qytetet kryesore. Pavarësisht kushteve atmosferike, revolta opozitare nuk do të ndalet.

Protesta e shtatë kombëtare vjen në një klimë të tensionuar politike, e cila është bërë dhe me e ashpër pas qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama. Sot kryeministri deklaroi se në orën 18:00, një orë para nisjes së protestës, do të jetë në Lezhë për të prezantuar kandidatin e PS për kryebashkiak. Vet axhenda e kreut të qeverisë që vijon fushatën në kohën që vendi është në një krizë politike është tjetër provokim për opozitën. Kryeministri sot mund të ishte pranë banorëve të pastrehë në Korçë ku tërmeti ka rrafshuar disa fshatra. Mund të ishte dhe në Librazhd, ku përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Por në vend të këtyre aktiviteteve që do ishin normale, zgjodhi të shkojë në Lezhë, në një takim elektoral për të sharë opozitën.

Veç manovrave elektorale në një fushatë pa kundërshtarë, kryeministri provokoi dhe shantazhoi opozitën edhe në konferencën me Sekretarin e Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Shefi i NATO, njeriu që ka informacion më shumë se kushdo për rrezikun rus ishte i kujdesshëm kur fliste për ndikimin e Moskës në rajon. Por kryeministri Rama, duke treguar dhe njëherë se në luftën politike nuk ka asnjë limit, tha se pas protestave të opozitës mund të ishin dhe ndikime të Rusisë. Një qëndrim i tillë, për ta nxjerrë opozitën si antikombëtare është një tjetër gur i rëndë që kryeministri hedh në drejtim të qytetarëve që protestojnë prej muajsh kundër krimit dhe korrupsionit dhe duan zgjedhje normale.

Me qëndrimet që po mban kryeministri, jo vetëm nuk i shërben dialogu dhe konsensusit që kërkojnë ndërkombëtarët, por vetëm sa provokon opozitën që në reagimin e saj të jetë dhe më e ashpër.

Pavarësisht se çfarë thotë tashmë kryeministrit, opozita dhe qytetarët kanë zgjedhur të flasin sot në protestë. Pjesëmarrje është përgjigja më e mirë për gjithë skenarët dhe shantazhet e kryeministrit.

SHKARKO APP