Protesta e shoqërisë civile. Në Tiranë 200 veta, në Athinë 500 mijë veta!

Është thënë disa herë se shoqëria civile në Shqipëri është ende e pa emancipuar ose edhe kur ka kulturën e nevojshme mbetet e mikluar nga pushteti i radhës ose e frikësuar prej pushtetit. Rastësisht në Tiranë dhe Athinë, brenda dy ditëve, kishte protesta të shoqërisë civile, ndaj mund të bëhet krahasimi mes dy shoqërive civile, asaj në Shqipëri dhe asaj në Greqi. Në Shqipëri po zien debati për faljen e 12 miljeve det nga qeveria shqiptare, Greqisë, kurse në Greqi debatohet për emrin Maqedoni të cilin qeveria e kryeministrit Tsipras po mundohet t’ia lejojë republikës FYROM që Tirana zyrtare e njeh me emrin Maqedoni.

Në Tiranë thirrjet ishin në rrjetet sociale për të protestuar para zyrës së kryeministrit Rama për pazarin që ajo po përgatit për t’i falur 12 milje det palës greke, pra flitet për kufinjë detarë e integritet territorial si dhe në një zonë naftëmbajtëse e gazi shumë miliardëshe dhe të shtunën ora 11.00 kishte diku te 200 veta me flamuj të hallakatur. Në Athinë thirrjet nga rrjetet sociale për emrin “Maqedoni” ishin për një kontekst historik, por mblodhen mbi 500 mijë veta në rrugët e kryeqytetit grek.

Në Tiranë duhej të bëhej nami pasi flitet për humbjen e 12 miljeve territor shqiptar, me firmën e qeverisë. Po të kishte ndodhur në Athinë, pra sikur 12 milje det t’i falte Greqia, Shqipërisë, do të digjej Athina dhe vetë Tsipras. As ushtria nuk do ia dilte turmës.

Në foto: Nga protesta e shoqërisë civile në Athinë, datë 4 shkurt 2018

Pjesëmarrja e qytetarëve grekëve në protestë kundër asaj që e konsiderojnë vjedhje të historisë dhe të kulturës së tyre ka qenë e paprecedentë. Mbi 500 mijë njerëz nga e gjithë Greqia mbushën sheshin Sintagma në Athinë. Protestuesit ishin aq shumë sa sheshi nuk mjaftonte dhe qytetarët qëndruan në rrugët përreth tij gjatë orëve të protestës.

Ajo që e bëri më të bukur protestën e grekëve ishte se organizimi u bë thjesht dhe vetëm nga qytetarët në rrjetet sociale dhe jo nga partitë politike. Pas një proteste të tillë, presioni ndaj negociatorëve grekë me ato maqedonas për emrin është akoma më i madh. Organizatorët ishin shoqata të ndryshme kulturore nga vendi dhe diaspora, të cilët e quajtën këtë një demonstrim kundër përpjekjeve të “FYROM” ose shtetit të Maqedonisë që tenton të grabisë pjesë të historisë dhe kulturës greke.

Kulmi i protestës nuk ishte fjalimi i një politikani, por i një kompozitori, 92 vjeçarit grek Mikis Theodhorakis, një figurë simbolike e Greqisë. Një natë më parë, anarkistët kishin sulmuar shtëpinë e tij duke shkruar me bojë të kuqe në hyrjen kryesore mesazhe kërcënuese. Pavarësisht kësaj Theodhorakis doli në protestë dhe deklaroi publikisht se ishte “gati dhe shumë i qetë”.

Në foto: Nga protesta e shoqërisë civile në Athinë, datë 4 shkurt 2018

“Maqedonia ka qenë, është dhe do të jetë përgjithmonë Greqi” i tha Teodorakis turmës së njerëzve, duke theksuar se çdo sugjerim për zgjidhjen e çështjes duhet të vendoset me një referendum.

Në Tiranë asnjë intelektualë apo artist nuk mori pjesë te sheshi para zyrës së kryeministrit Rama. Ishin vetëm ca veta, ndërkohë që duhej ku ndërgjegja qytetare dhe patriotike të mblidhet me shumë se sa mblodhi PD-LSI me 27 janar. Por nuk ndodhi. Edhe media nën presionin e qeverisë nuk tha një fjalë për protestën. Kulmi! Për fat të keq nuk kemi shoqeri civile ose atë që është diku, e strukur, e ka blerë qeveria në format mafioze pasi ka kapluar krerët e tyre.

Ndërsa në Athinë ishte nami, vetëm nga ndërgjegja kombëtare dhe rrjetet sociale.

“Nëse një qeveri duhet të firmosë në emër të vendit, nuk ka asnjë dyshim që më parë, duhet të pyesë popullin grek” u shpreh Teodorakis para qindra mijëra protestuesve që mbanin në duar flamuj ku shkruhej “Duart larg nga Maqedonia” dhe “Maqedonia është Greqi”. Qeveria e majtë e Syriza-s ka propozuar një zgjidhje që e përfshin fjalën Maqedoni brenda emrit zyrtar të shtetit fqinj, por që e diferencon qartë nga krahina e Maqedonisë në Greqi. Por për shumë grekë, sërish kjo zgjidhje është e papranueshme.

Tani bëjeni vetë krahasimin e nivelit të shoqërisë civile, në Tiranë dhe në Athinë. Këtu vidhet deti shqiptar me firmë e vulë qeverie, kurse në Athinë flitet për një emër Maqedoni që ha diskutime.

Në foto: Nga protesta e shoqërisë civile ditën e shtunë datë 3 shkurt 2018 në Tiranë

Në foto: Nga protesta e shoqërisë civile në Athinë, datë 4 shkurt 2018

 

SHKARKO APP