Protesta e sotme, testi për lirinë faktike të medias
Nga Nikoll Lesi.
Kjo që ka ndodhur sot, nuk ka ndodhur në 27 vite pluralizëm dhe demokraci. E habitshme se si një protestë e shoqërisë civile, e nisur thjesht nga rrjetet sociale në fillim e më pas shkoi zinxhir lajmi në facebook-un e gjithsejcilit, të cilët sipas mënyrës së tyre organizuan një protestë para zyrës së kryeministrit Rama. Asnjë televizion nuk e transmetoi live apo edhe me ndonjë titër lajmin e protestës, përveç një televizioni të ri Faxnews.
Motivi i protestuesve ishte, sipas asaj çka thanë se nuk janë dakort me bisedimet e qeverisë shqiptare për faljen e detit me 12 milje, siç edhe thuhet nga mediat greke dhe ministri grek Kotzias. Edhe në vitin 2009 vendimi i Berisha-Basha ishte i gabuar, por fatmirësisht ishte Gjykata Kushtetuese e cila mbrojti sovranitetin e kufijve.
Personalisht unë nuk dua të besoj se ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, e aq me shumë kryeministri Rama, të bënin një gafë të madhe historike në faljen e detit, Greqisë. Do të ishte vertetë një tradhti e madhe kombëtare, nëse arrihet të firmoset në ato kushte skandaloze siç bën presion Greqia për një vote greke për dhënien e statusit Shqipërisë për në BE.
E theksoj, jo për kompromis me vetveten, se nuk dua ta besoj se mund të bëhet fakt falja e detit. Por kjo nuk do të thotë se politika, shoqëria civile dhe media nuk duhet të kërkojnë të vertetën e bisedimeve dhe ta ndalojmë nëse ka ndonjë projekt me laps, akoma të pa firmosur.
PS dhe qeveria thonë se nuk flitet për këto pazare me integritetin e kufijve shtetrorë, PD-LSI akuzojnë dhe duan sqarime në parlament, media pyet, kurse shoqëria shqiptare është e traumatizuar dhe reagon nëse Greqia dikton kushtet diskreminuese për hir të një vote në BE.
Por çka më shqetson mbetet liria e medias sot në Shqipëri. Nuk mund të mos kujtoj të rinjve të sotëm se jam një prej atyre dhjetra gazetarëve të gazetës së parë të lirë “Koha Jone” që kam sakrifikuar për median e lirë dhe fjalën e lirë. Dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e mijë për këtë liri në vitet 1991-1997, edhe më vonë, janë shumë si Frrok Çupi, Aleksandër Frangaj, Martin Leka, Armand Shkullaku, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Marash Mirashi, Lorenc Vangjeli, Teodor Keko, Andi Bushati, Andi Bejtja, Alfred Peza, Enton Abilekaj, Henri Çili, Zamir Dule, Arta Marku, Jonila Godole, Rudina Xhunga, Skender Minxhozi, Aleksandër Çipa, Edi Rama, Fatos Lubonja, Kiço Blushi, Sokol Balla, Arian Çani, Ilir Babaramo, Anila Basha, Adriatik Dosti, Ilir Gjoni, Mimoza Dervishi, Gent Shkullaku, Vladimir Prela, Edmond Laçi, Fatmir Meneri, Enkel Dëmi, Alfons Zeneli e plot të tjerë, të cilët janë gdhendur në memorien e qytetarëve, pasi për një lajm udhëtonin me orë të tëra për t’ia sjellë lexuesit dhe qytetarit. Edhe janë rrahur, edhe gjakosur si Alfred Peza e Alekandër Çipa për të sjellë lajmin. Janë burgosur Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka për t’i dhënë lajmin qytetarit, sepse lajmi fshihej nëpër skutat e pushtetit. Eshtë masakruar Zamir Dule për lajmin. Eshte djegur redaksia e gazetës “Koha Jone” nga pushteti i Berishës në mars 1997 për të mos shkuar te lexuesi fjala, lajmi.
Por ç’pashë sot pas 27 viteve nga koha e “Koha Jone”? Thjesht për një protestë paqësore të disa pjestarëve të shoqërisë civile, para zyrës së kryeministrit, nuk u fut asnjë lajm, jo vetëm live, por as me titra në televizione. Nuk them se jam dakort me ato çka thanë disa pjestarë të protestës, por ishte lajm dhe lajmi shpërndahet për te lexuesi dhe shikuesi. Bile me disa folës nuk jam aspak dakort. Por asnjë lajm, as me titra, nuk dhanë asnjë televizion kryesorë në vend. Jepej fjala vjen në TV, paralel me protestën, se në iks fshat kishte rënë ujku në vathën e një bariu, por kurrë një lajm se po zhvillohej një protestë para kryeministrisë.
Protesta ishte lajm dhe lajmi nuk u dha! Kjo është për të kuptuar se si kryeministri Rama ka uzurpuar mediat dhe në mos i kontrollon, i miklon me leje ndërtimi, koncesione, pazare, etj.
Ishte sot një test që flet shumë. Edhe për dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Edhe për ne të gjithë, si qytetarë.