Protesta ka njerëzit në shesh, por Rama ka ushtrinë e votës
Problemi kryesor për çdo lëvizje që kërkon largimin e Edi Ramës nuk është sa njerëz arrin të nxjerrë në protestë. Problemi është sa prej tyre arrin t’i çojë te kutia e votimit dhe t’i bashkojë rreth një alternative.
Sepse Edi Rama ka një avantazh që kundërshtarët e tij vazhdojnë ta nënvlerësojnë: PS ka një ushtri elektorale të organizuar, të disiplinuar dhe të aftë për t’u mobilizuar në ditën e zgjedhjeve.
Mund të ketë pakënaqësi ndaj qeverisë. Mund të ketë protesta të mëdha. Mund të ketë socialistë të zhgënjyer. Por zgjedhjet nuk fitohen duke matur zemërimin në rrugë. Fitohen duke numëruar votat në kuti.
Këtu qëndron edhe rreziku për Protestën. Nëse ajo nuk shndërrohet në forcë politike dhe njëkohësisht nuk krijon një marrëdhënie elektorale me opozitën, çfarë do të bëjnë njerëzit e saj ditën e zgjedhjeve?
Një pjesë mund të votojë PD-në. Një pjesë partitë e reja. Të tjerë mund të qëndrojnë në shtëpi. Dhe pikërisht kjo copëzim i votës kundër qeverisë mund të jetë lajmi më i mirë për Edi Ramën.
PS nuk ka nevojë të bindë çdo shqiptar. I duhet të mobilizojë elektoratin e vet më mirë sesa kundërshtarët mobilizojnë të tyrin.
Prandaj PD ka një detyrë shumë më të madhe sesa të mbështesë protestën. Duhet të rinovohet, të hapet dhe të bëhet alternativë qeverisëse për njerëzit që sot thonë: “Nuk e dua më Ramën, por nuk jam ende i bindur të votoj PD-në”.
Edhe vetë Protesta duhet të marrë një vendim. Nëse pretendon se përfaqëson një Shqipëri që nuk e gjen veten as te PS-ja dhe as te PD-ja, atëherë duhet të mendojë seriozisht organizimin politik. Një protestë kombëtare që kërkon pushtetin ka nevojë për struktura, njerëz në çdo zonë elektorale, program, kandidatë dhe përfaqësues në çdo qendër votimi.
Përndryshe mund të ndodhë paradoksi më i madh: Rama të humbasë sheshin dhe të fitojë përsëri zgjedhjet.
Sepse përballë një opozite të fragmentuar, një elektorati protestues të paorganizuar dhe një abstencionizmi të lartë, ushtria elektorale e PS-së bëhet edhe më e fuqishme.
Kjo është beteja që do të vendosë të ardhmen politike të vendit. Jo kush bërtet më fort sot, por kush organizon më mirë votën nesër.
Rama nuk mundet vetëm duke mbushur bulevardin. Për ta mundur politikisht, duhet mbushur kutia e votimit me një alternativë që bind shumicën.
Edi Rama nuk mundet kollaj.
KOHA JONË SONDAZH

