Protesta kombëtare e opozitës, shqiptarët drejt Tiranës

Në orën 19:00 pritet të nisë protesta kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Tubimi i 6-të kombëtar i opozitës pritet të ketë një pjesëmarrje të jashtëzakonshme qytetarësh.

Të dhënat e para që vijë nga rrethet flasin për dhjetëra mijëra qytetarë që janë nisur drejt Tiranës, në protestën para Kryeministrisë. Nga Saranda, Gjirokastra, Korça, Vlora, Kukësi, Shkodra dhe qytete të tjera flitet për mijëra automjete me qytetarët që do të jenë në tubimin e pasdites.

Edhe pse drejtuesit e opozitës kanë deklaruar se protesta do të jetë paqësore, para godinës së Kryeministrisë që në orët e para të mëngjesit të sotëm vihet re një prani e madhe policore. Sipas të dhënave të policisë, janë 1500 efektive që do të angazhohen në protestën e thirrur nga opozita.

Nga organizatorët e protestës është njoftuar se protesta do të zgjasë nga ora 19:00 deri në mesnatë dhe ajo do te jetë një protestë marshim në të gjitha rrugët e kryeqytetit.

LIVE - Protesta 25 Maj 2019

Tritan Shehu: 2200 protestues nga Gjirokastra, dështuan presionet

Ish-deputeti i Gjirokastrës Tritan Shehu thotë se presionet dhe përpjekjet për të penguar pjesëmarrjen në protestën e sotme të opozitës kanë dështuar. Ai ka publikuar foto të protestuesve të nisur nga qarku i Gjirokastrës drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestë. Sipas Shehut janë mbi 2200 protestues nga Gjirokastra.

Protesta e opozitës, qytetarët e Fierit: Policia po na ushtron presion

Teksa në Tiranë kanë nisur përgatitjet për protestën e radhës së opozitës, nga Fieri, por edhe nga rrethet e tjera janë nisur drejt kryeqytetit.

Raportohet se qindra protestues janë nisur drejt kryeqytetit me autobusë, mjete të transportit publik apo autovetura private. Pak minuta përpara nisjes, kreu i demokrateve fierak, Luan Baçi ka akuzuar policinë se po ushtron presion te qytetarët, për të mos lejuar që të marrin pjesë në protestë. Sipas tij policia i ka bërë presion edhe një anëtari të kryesisë së PD dega Fier.

Pa nisur protesta, policia shoqëron 20 persona në komisariat

Vetëm pak orë para protestës së gjashtë kombëtare të opozitës së bashkuar kanë nisur tensionet e para mes protestuesve dhe policisë. Në Elbasan janë shoqëruar personat e parë, dhe kjo pa asnjë motiv. Sipas kreut të Partisë Demokratike në Elbasan, Eugen Isaj deri më tani janë shoqëruar rreth 20 persona, pa asnjë motivacion duke i mbajtur 2 ose 3 orë në komisariat, duke i penfuar kësht ardhjen në Tiranë për të protestuar. Kjo është protesta e gjashtë kombëtare e organizuar nga opozita e bashkuar, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe shtyrjen e zgjdhjeve lokale të 30 Qershorit.

Ambasada e SHBA thirrje protestuesve dhe policisë: Larg dhunës!

Ambasada amerikane ka apeluar për protestë paqësore pak orë para nisjes së saj. Në një postim në “Facebook”, ambasada e SHBA iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve dhe forcave ligjzbatuese të përmbahen. Nga ana tjetër thotë se nxitja e përplasjeve, hedhja e lëndëve plasëse është e paligjshme dhe autorët duhen vënë para përgjegjësisë.

Reagimi i plotë i Ambasadës së SHBA: Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv”, apelon ambasada e SHBA.

Ambasada e BE në Tiranë, ka bërë thirrje opozitës dhe autoriteteve të qeverisë që të garantojnë zhvillimin paqësor të tubimit.

SHKARKO APP