Protestat dhe grevat pushtojnë Serbinë, studentët bojkotojnë mësimin
Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij.
Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që ka pas vetes 15 të vdekur me një nëntor.
Protesta filloi me një heshtje 15-minutëshe në nderim të viktimave dhe u pasua nga brohoritjet “I keni duart e përgjakura”. Tubime më të vogla u mbajtën edhe në qytetet e Nishit dhe Kragujevcit.
Partitë opozitare thonë se një qeveri kalimtare do të përgatiste zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mund të ishte një rrugëdalje nga tensionet politike, pasi populistët në pushtet janë akuzuar gjithashtu për keqpërdorim të votave në të kaluarën.
Në një përpjekje për të penguar protestat, qeveria e Serbisë ka zgjatur pushimet dimërore të shkollave duke i nisur ato gati një javë më herët. Ditët e fundit lëvizjes i janë bashkuar edhe më shumë nxënës shkollash të mesme.
Mësimet në universitetet në të gjithë vendin ballkanik janë pezulluar prej javësh me studentët që po qëndrojnë brenda godinave të fakulteteve. Dhuna e herëpashershme ka përshkuar protestat ndërsa grupe pro-qeveritare u përpoqën të pengojnë protestat.
Një grup fermerësh thanë të dielën se policia i mori traktorin njërit prej udhëheqësve të tyre para protestës. Përveç fermerëve, studentët e Serbisë gjithashtu kanë marrë mbështetje mbarëkombëtare nga të gjitha sferat e jetës duke përfshirë profesorët e tyre, personalitete të medias, avokatë dhe individë të shquar.
*Mbështetur në agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press