PS dhe PD, kundër listave të hapura. Kanë frikë nga vota e popullit

 

Ideja e ndryshimit të Kodit Zgjedhor duke lejuar lista të hapura të kandidatëve për deputetë ka marrë kundërshtimet e para të forta. E tha Ilir Meta si një propozim që e kërkon shoqëria civile dhe njërëzit e thjeshtë, por  mënjëherë reaguan dy partitë e vjetra. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë shprehur qëndrimin kundër kësaj nisme. Fillimisht ishte Kryeministri Edi Rama, i cili nga Beogradi dy ditë më parë u pozicionua kundër kërkesës së aleatit të tij kryesor në koalicion Ilir Meta. Kreu i PS-së Edi Rama tha se personalisht nuk ishte për lista të hapura. Pra, mbron idenë që në zgjedhje të votohet partia dhe jo edhe emri i kandidatit për deputet.

Pas Ramës, në mënyrë gjysmë zyrtare, ka ardhur dhe refuzimi i Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani tha dje se lista e hapura nuk e orientojnë siç duhet votuesin. Në cilësinë e një eksperti në fushën e zgjedhjeve, Ristani shtoi se personalisht ishte për listat e mbyllura, siç është sistemi aktual. “Si specialist i fushës dhe si ish-kryetar i KQZ-së, jam për listat e mbyllura. Listat e hapura nuk arrijnë të orientojnë si duhet votuesit”,- tha dje nga Korça, Arben Ristani. Një absurditet ky që do thotë se numri dy i PD-së e ka marrë një leje nga kryetari Basha që të thotë një deklaratë të tillë.

Në PD dhe PS mund të kenë frikë sepse mundet të votohen në listat e hapura me shumë emra nga lista e kandidatëve që flasin kundër drejtimit të partisë apo praktikave qeverisëse se sa ato që do partia. Mund të votohet me shumë Jozefina Topalli apo Majlinda Bregu se sa emrat që duan në seli. Mund të marrë vota shumë me shumë Astrit Patozi se sa iks emër që vendos të parin në listën e Vlorës PD-ja. Siç mund të ndodhë se Pandeli Majko mund të marrë me shumë vota se Edi Rama. E kanë këtë frikë.

Qëndrimi numrit dy të Partisë Demokratike, edhe pse në dukje personal, pritet të jetë dhe vija zyrtare e Partisë Demokratike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha një vite më parë nuk e ka përjashtuar si mundësi një ndryshim të Kodit për listat, por në diskutimet që ka pasur më vonë me aleatët qëndrimi nuk ka qenë i qartë se cila do jetë linja zyrtare e PD-së për këtë pikë. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha, qëndrimet e të cilit kanë jo pak rëndësi në Partinë Demokratike është shprehur kategorik kundër listave të hapura. Në vitet 2008-2009, ishte ideja e Berishës dhe Edi Ramës për vendosjen e listave të mbyllura. Futja e kësaj skeme, ku deputetët caktohen nga kryetari dhe renditja në listën e emrave fitues caktohet po nga kryetari, u vlerësua në ato vite si modeli me demokratik. Kryeministri Rama aktual dhe ish-kryeministri Berisha e quajtën këtë model si garancinë për të futur njerëz me integritet në politikë. Argumenti tjetër ishte se listat e mbyllura largonin nga politika biznesmenët dhe njerëzit me precedentë penalë, pasi kryetarët e partive do vendosin emra me integritet. Në fakt sollën të kundërtën e asaj që thonin. Ata sollën edhe kriminelë në sallën e parlamentit. Sollën deputetët me nivelin me të ulët historik të parlamentazmit në Shqipëri. Sollën mafien.

I gjithë ky sistem, në vend që ta bënte më të hapur politikën dhe partitë, në të vertetë ka sjellë fenomenin e “diktaturës” së kryetarëve të partisë. Kjo sepse nëse kryetari nuk të fut në listë, ose të rendit në fund të listës, është njëlloj sikur të ketë përjashtuar nga jeta politike. Dhe kjo ka ndodhur me jo pak emra në PD dhe PS, të cilët edhe pse me kontribut 20-vjeçar në politikë, u përjashtuan nga kryetarët duke u justifikuar me Kodin dhe marifetet zgjedhore. Listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë janë pushteti më i madh që kryetarët kanë ndaj deputetëve të partive të tyre. Sinjalet që dha PS dhe PD flasin për një pakt të heshtur mes kryetarëve për të mos ngacmuar temën e zgjedhjeve të ardhme në këtë pikë.  Siç duket askujt nuk i intereson të ketë telashe me deputetët në zgjedhjet e ardhshme. Listat e mbyllura i mbajnë të gjithë deputetët në resht dhe asnjë nuk ngre zërin kundër kryetarit. Tek e fundit, Kodi Zgjedhor i vitit 2009 u bë nga Kryetarët e partive kryesore për të siguruar pushtetin e kryetarëve në parti. Pas kësaj është e kot të flasin për demokraci të brendshme në parti.

Ilir Meta e hapi fushaten për Listat e hapura të kandidatëve për deputet që të përzgjidhen nga vota e popullit, por duket se Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk do ta votojnë këtë nismë të kreut të LSI. Pra përsëri do të kemi deputetë kriminelë të rafinuar, eunukë politikë dhe deputetë që e shikojnë kryetarin e partisë si të jetë Zoti.

 

SHKARKO APP