PS hap fushatën. Balla: Marrim 61 bashki. Veliaj: Votoni PS që të mos ketë një 1997 të dytë

Partia Socialiste ka çelur sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. Në këto zgjedhje, për herë të parë PS kandidon e vetme, duke mos pasur përballë opozitën.

Në aktivitetin e zhvilluar në Parkun Olimpik në Tiranë, takimi u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla. Numri dy i PS tha se socialistët do të fitojnë 61 bashkitë që ka vendi. “Jemi e vetmja forcë politike që ka arritur të tregojë një qeverisje të mirë vendore. Padyshim që më 30 qershor do të marrim përgjegjësinë për të qeverisur edhe në ato bashki që nuk kanë mundur të tregojnë nivelin tonë qeverisës. Duke nisur nga Shkodra, e deri në Gjirokastër”, tha Taulant Balla.

Balla pati një paralajmërim për ata që premtojnë dhe përbetohen se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. “Në fund, më lejoni të them dy fjalë për ata që përbetohen se nuk do të lejojnë të bëhen zgjedhje në Shqipëri: është krim që ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal. Jam i sigurtë se nuk ka asnjë budalla që t’u besojë Monës dhe Lulit për të shkuar në burg. Sot jemi këtu për të treguar edhe njëherë se PS është partia që di të bëjë shtet, e që di të mirëqeverisë në të 61 bashkitë e vendit”, paralajmëroi Taulant Balla.
Një pjesë e rëndësishme në prezantimin e kandidatëve ju la kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kandidon për një mandat të dytë.
Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se Partia Socialiste nuk mendon thjesht për zgjedhjet, por për gjeneratën e ardhshme të Shqipërisë.

“Sot është 1 qershori dhe festën për fëmijët tanë, të ardhmen tonë, e shoqërojmë me çeljen e fushatës për një të ardhme më të mirë për çdo bashki të qeverisjes vendore”, u shpreh Veliaj.

Sipas kryebashkiakut të Tiranës, sot përballemi edhe me disa ‘fëmijë’ që nuk duan aspak zhvillim, dinjitet dhe një jetë më të mirë për shqiptarët. “Ndaj, më 30 qershor është radha juaj të flisni me votën tuaj, që bashkë me Edi Ramën dhe kandidatët socialistë për 61 bashkitë ta bëjmë Shqipërinë një vend me qeverisje më dinjitoze. Atë që kemi bërë për Tiranën, ta bëjmë edhe për qytetin më të largët të Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.

Erion Veliaj, përpara se të ftonte disa personazhe tejet të njohur për publikun, si Gazmend Paja dhe Eneda Tarifa, tha se “për të gjithë ata që nuk duan të kthehen edhe njëherë në vitin 1997, e që nuk duan të bëjnë hapa pas, më 30 qershor ka vetëm një zgjidhje: Partia Socialiste e Shqipërisë”.

SHKARKO APP