PS heq maskën, del vetë si vrasësja e Reformës Zgjedhore

Që nga data 5 qershor kur u nënshkrua marrëveshja për reformën zgjedhore në Ambasadën e SHBA, Partia Socialiste po përdor çdo më mënyrë dhe mjet për të bërë të pamundur zbatimin e saj. Fillimisht Edi Rama shpiku teorinë se pakti nuk sjellë asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor, me shpresë se në këtë mënyrë opozita do të tërhiqej nga një pakt që nuk i jep asgjë.

Më pas dolën në skenë deputetët e Pazarit të Milotit që shpikën heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut 5 % për partitë e vogla, ku ata vetë nuk marrin asnjë 0.001 përqind! Kjo nismë është aq pa kuptim dhe jashtë realitetit politik, sa të njëjtët deputetët që e kanë firmosur, tani po i lexojnë kërkesat absurde dhe po heqin dorë. Ndërkohë PS vijon ti mbështesë me firma për të mbajtur në këmbë idenë se ndalimi i koalicioneve parazgjedhore është një kërkesë serioze!

Kur lojërat me deputetët e blerë opozitarë nuk po ngjisin më, Partia Socialiste ka hequr maskën dhe ka dalë vetë në skenë si vrasësja e vërtetë e marrëveshjes. Debati që ka nisur këto ditë për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Këshillin Politik është pjesë e skemës për të mos votuar marrëveshjen në Parlament. Pasi u deshën muaj  negociata dhe presion i fortë i Ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe, tani Rilindja kërkon të rikthejë dhe njëherë në pikën zero negociatat me opozitën reale. Kërkesat e saj për të mbajtur nën kontroll përbërjen e KQZ-së e rikthen debatin për reformën zgjedhore në pikën e nisjes. Opozita ka bërë propozimin më të arsyeshëm lidhur me përbërjen e këtij institucioni, duke marrë si model mënyrën sesi janë zgjedhur anëtarët e institucioneve të reja të drejtësisë. Pra, një komision i pavarur dhe Avokati i Popullit vlerësojnë kandidatët e opozitës dhe qeverisë për KQZ dhe më pas emrat votohen në bllok. Ndërkohë PS kërkon emrat të propozohen në Kuvend nga deputetë dhe grupe parlamentare dhe më pas të votohet secili rast. Kërkesa nuk ka lidhje me marrëveshjen politike të arritur mes palëve, madje është një propozim edhe më i keq se ai që ka sot Kodi Zgjedhor i pandryshuar. Në këtë mënyrë, PS kërkon që emrat e anëtarëve të KQZ të kalojnë edhe njëherë si propozime të deputetëve të Pazarit të Milotit. Një skemë e tillë do të sillte një ndërlikim të panevojshëm dhe pa asnjë rezultat dhe arsyeja është e thjeshtë. Opozita reale nuk ka deputetë në këtë Kuvend dhe nuk mund të bëjë pazare që njerëzit e saj në KQZ të propozohen dhe emërohen nga deputetë që e thonë dhe vet se nuk përfaqësojnë asgjë më në Kuvend, politikisht.

Në fakt, rilindja e di që ideja e saj nuk mund të realizohet, por e ka gjetur si pretekst për të bllokuar reformën zgjedhore. Duke shpikur çdo ditë nga një skemë sabotimi, qeveria është kthyer sot në shkatërruesen reale të marrëveshjes politike. Negociatat përfunduan më 5 qershor dhe u noterizuan nga ndërkombëtarët. Çdo hapje debati nuk po bëhet për çështje teknike, por janë provokime që kërkojnë largimin e opozitës nga konsensusi. Marrëveshja politike duhet të ishte kthyer në ligj dhe duhet të kishte kaluar në Kuvend brenda një jave. Në dokumentin e firmosur në Ambasadë thuhet se marrëveshja duhet të miratohet nga PS në Parlament pa asnjë ndryshim. Gjithë pjesa tjetër e sherreve false që po shpik rilindja është jo vetëm rrëzim i paktit, por dhe tallje me ndërkombëtarët që dolën garant të zbatimit të tij.

Kryeministri Edi Rama e di se shkatërrimi i konsensusi me vetëdije nga ana e tij do të ketë kosto personale politike. Arsyeja pse rilindja po shfaqet si vrasësja e konsensusit dhe lidhet vetëm me frikën e humbjes së zgjedhjeve. Ndaj gjithë këto javë po përpiqet me çdo kusht ose të rrëzojë marrëveshjen dhe të mbajë larg opozitën nga zgjedhjet, ose ta ndryshojë atë dhe të mos lejojë krijimin e koalicionit PD-LSI.

SHKARKO APP