PS-ja e shtyn për në 19 janar mbledhjen e Këshillit të Mandatëve
Deputetët anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku prej disa orësh diskutuan kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, do të kenë mundësi të marrin në dorëzim materialet provuese të Prokurorisë së Posaçme në një USB, për t’i shqyrtuar jashtë mbledhjes.
Pas diskutimeve, palët kanë arritur dakordësi që USB-ja me provat të merret nga deputetët anëtarë të Këshillit. Fillimisht, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kishte kundërshtuar që dokumentacioni të dilte jashtë sallës së mbledhjes, duke kërkuar që provat të shqyrtoheshin vetëm gjatë seancës. Megjithatë, qëndrimi është zbutur dhe është rënë dakord për dorëzimin e USB-së.
Prokurorët e SPAK kanë sqaruar se materiali i përfshirë në USB mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe në respektim të plotë të procedurave ligjore. Po ashtu, Prokuroria ka dhënë dakordësinë që edhe avokati mbrojtës i deputetes Belinda Balluku të njihet me provat.
Dosja që SPAK ka përgatitur për të mbështetur kërkesën për heqjen e imunitetit mësohet se përbëhet nga rreth 10 mijë faqe. Për këtë arsye, avokati i Ballukut ka kërkuar një afat prej tre javësh për t’u njohur me materialet, por SPAK ka bërë të qartë se afati maksimal i arsyeshëm është 5 ditë.
Partia Socialiste është shprehur në mbështetje të kërkesës së avokatit të Ballukut dhe ka propozuar shtyrjen e mbledhjes së radhës së Këshillit për datën 19 janar. Ky propozim është kundërshtuar nga Partia Demokratike, e cila kërkon që mbledhja të zhvillohet të hënën e ardhshme.
Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, i është drejtuar prokurorit të çështjes, Prençi, me pyetjen nëse ekziston një urgjencë konkrete për ecurinë e hetimit, duke theksuar se, sipas tij, e dyshuara nuk bashkëpunon, nuk jep dorëheqjen dhe ka intimiduar dëshmitarë, ndërkohë që qeveria e mbron publikisht.
Në përgjigje, prokurori Prençi ka deklaruar se afati i arsyeshëm për njohjen me provat duhet të jetë 3 deri në 5 ditë, qëndrim i mbështetur edhe nga prokurorja Dorina Bejko.
KOHA JONË SONDAZH
Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?
Results
Vota totale: 12396

