PS-ja sulme Presidentit. Arsyeja e vërtetë janë lojërat e fatit!

PS-ja, që thotë se nuk ka asgjë të re në këtë ligj dhe s’duhet të ishte kthyer nga kreu i shtetit, para se të sulmojë Presidentin duhet të sqarojë qytetarët se çfarë ka bërë këto 5 vite me biznesin e lojërave të fatit? Pse nisi aksionin “Fundi i Marrëzisë”, por e la në mes apo ndryshoi pronarët e tyre, nga të PD në të PS? Çfarë është bërë me ligjin që rri në Kuvend që prej vitit 2016 për largimin e bizneseve të kumarit nga pallatet, lokalet dhe ambientet e banuara? Apo paguajnë pronarët e lojërave të fatit te qeveria?!

PS-ja hapi “sezonin veror” të sulmëve ndaj Kryetarit të Shtetit. Edi Rama nuk del vetë personalisht, por ka ndërsyer të tjerët. Vetëm pak orë pas kthimit nga Presidenti Ilir Meta të ligjit për “Tatimin mbi të ardhurat”, mënjëherë Qeveria dhe Partia Socialiste kanë nisur një fushatë të ashpër sulmi ndaj kreut të shtetit. Në kthimin e ligjit, Presidenti arsyeton se një nen i tij, ai që ka të bëjë për lojërat e fatit, është i papranueshëm si nga ana ligjore ekonomike, por edhe nga ana morale. Konkretisht, qeveria ka vendosur që të ulë taksat për të gjitha bizneset e lojërave të fatit, duke i trajtuar si sipërmarrje të veçanta që kanë nevojë për ndihmë nga shteti. Se çfarë logjike është kjo ku qeveria ka merak se lojërat e fatit janë keq e duan mbështetje! Ato janë aktivitet i ligjshëm dhe i tatueshëm, porse vetëm sa po shkaktojnë trauma familjare e sociale. Të gjithë e dijnë se ka me shumë lojera fati nëpër Shqipëri se sa fjala vjen kafe. Një absurditet që vetëm në vendin tonë e gjen kudo nëpër çdo qoshe pallati.

Ndaj ligji është hartuar si një ndihmë për këtë biznes shkatërrues të shoqërisë. Një logjikë e tillë i heq buxhetit të shtetit disa milionë dollarë të ardhura, nga një biznes që asnjëherë nuk ka dalë me humbje. Përkundrazi, vetëm një vit më parë llogaritet se fitimi i deklaruar i kompanive ka qenë rreth 180 milionë euro. Këtu flasim për bilance të deklaruara në shtet, ndërkohë që dihet se në biznesin e lojërave të fatit më shumë para qarkullon e padeklaruar, bile ka informacione se pastrohet para e madhe nga mafia. Gabimi tjetër me këtë ligj është dhe modeli që jep qeveria tek qytetarët. Pra, mazhoranca vendos që t’u lërë më shumë para në xhepa bosëve të kumarit dhe të vijojë të rrisë taksat për qytetarët e zakonshëm, bizneset e vogla dhe të rrisë pagesat për shërbimet që merren në shtet. Një vendim i tillë përveç se idiotësi ekonomike është dhe karagjozllëk dhe tallje me qytetarët. Sepse praktikisht bosëve të kumarit u hiqen taksat, ndërsa dyqaneve që shesin bukë u rriten.

Në gjithë ligjin për “Tatimit mbi të ardhurat” kjo ishte pika e vetme ku kreu i shtetit i kërkonte Kuvendit rishikimin e këtij neni për efektet sociale që shkakton në shoqëri dhe pasojat në buxhetin e shtetit. Por çfarë ndodhi pas kthimit të ligjit. Në një mënyrë aspak etike, Ministria e Financave ka bërë një reagim ndaj kreut të shtetit ku shpjegon se përse, sipas saj, ligji nuk duhet të ishte kthyer. Deklarata rreket të bind opinionin, pa dhënë asnjë shifër, se ligji i kthyer nga Presidenti, sipas Ministrisë, nuk do t’i ulë taksat për lojërat e fatit. Në fakt, edhe një pjesë e deputetëve të PS në kohën kur u diskutua ligji ishin kundër Ministrisë së Financave me pak a shumë të njëjtat argumente që gjenden edhe dekretin e kreut të shtetit. Ministri Arben Ahmetaj shprehet i çuditur për kthimin e ligjit dhe thotë se “nuk ka asgjë të re në këtë ligj” që duhet të sillte kthimin e tij. Sipas Ministrisë së Financave ligji vetëm sa standratizon dhe njëhson detyrimet për të gjitha llojet e lojërave të fatit. Por nëse nuk ka gjë të re, përse u miratua me urgjencë nga Parlamenti? Dhe nëse ka vetëm standardizim pse shqetësohet Ministria e Financave për një ligj që nuk shkakton asnjë efekt në buxhet?

Pas reagimit, jo shumë etik, të Ministrisë së Financave që cilësoi dekretin e Presidentit si “kthim pa dashje të ligjit”, ka qenë kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe që në një status të gjatë në Facebook ka replikuar me kreun e shtetit për vendimin. Braçe, një nga deputetët që ka qenë më kritik, me të drejtë, për çështjen e lojërave të fatit, por këtë herë nuk bie dakord me Presidentin për kthimin e ligjit dhe inatin e nxjerrë sa te kreu i shtetit, aq dhe të LSI-ja. Deputeti i PS bën një kapërcim logjik shumë të guximshëm kur thotë se ligji për lojërat e fatit në vitin 2015 është miratuar nga LSI, ndërsa ai, Edi Rama dhe PS kanë qenë kundër ose s’kanë marrë pjesë në votim. Me këtë logjikë, ligjin e propozuar nga qeveria “Rama” nuk e ka miratuar PS-ja, gjë që ka pak mundësi të ndodhë. Ajo që thotë deputeti Braçe nuk ka asnjë bazë logjike dhe as faktike. Çudia me këtë deklaratë është se si ka mundësi që një parti që ka patur dhe ka në grupin e saj shumë biznesmenë të lidhur me lojërat e fatit nuk e dinë se çfarë ndodh në këtë sektor. Apo këta deputetë biznesmenë paguajnë te qeveria?!

Kthimi i ligjit nga Presidenti, si rrallë here, ka veç argumenteve ligjore dhe qëndrim moral dhe parimor të një politikani ndaj biznesit të lojërave të fatit. Nuk është fjala vetëm për paratë e paligjshme që qarkullojnë në këtë sektor, por edhe dramat sociale dhe krimet që sjellin lojërat e kumarit në vend. PS-ja, që thotë se nuk ka asgjë të re në këtë ligj dhe s’duhet të ishte kthyer nga kreu i shtetit, para se të sulmojë Presidentin duhet të sqarojë qytetarët se çfarë ka bërë këto 5 vite me biznesin e lojërave të fatit? Pse nisi aksionin “Fundi i Marrëzisë”, por e la në mes apo ndryshoi pronarët e tyre, nga të PD në të PS? Çfarë është bërë me ligjin që rri në Kuvend që prej vitit 2016 për largimin e bizneseve të kumarit nga pallatet, lokalet dhe ambientet e banuara? Apo paguajnë pronarët e lojërave të fatit te qeveria?!

Sa herë që në Parlament diskutohet për lojërat e fatit deputetët pranojnë se ka një presion të madh nga bizneset e kumarit. Ka pasur raste kur ligje të veçanta janë sponsorizuar nga biznesi dhe janë paraqitur si qëndrime politike të qeverisë. Prova më e qartë është ligji i zhvendosjes së lojërave të fatit në periferi të qyteteve. Aq të forta janë interesat e mazhorancës në këtë ligj se nuk guxon asnjë ministër apo deputetë t’i rikthehet edhe një herë kësaj çështje. Mesa duket u intereson që edhe taksat t’ua ulin, edhe t’i lënë të qetë llotot dhe bastet rrugëve të Tiranës. Në pamundësi për të kontrolluar lojërat e fatit, duket se janë bizneset e kumarit ato që kontrollojnë qeverinë dhe Parlamentin.

Qamil Xhani

SHKARKO APP