PS lëshoi bandat kriminale kundër LSI. Po dhunojnë të rinjtë dhe femrat
-Edhe me ligj dhe me Kanun femrat kurrë nuk preken apo dhunohen,aq me tepër në publik e në rrugën e tyre.
-Cubat e Rilindjes godasin në prita e pabesi edhe gratë e femrat aktiviste të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Dy akte dhune me goditje me leva dhe grushte janë shënuar ditën e djeshme ndaj përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në Pukë, Kryetarja e LSI-së dhe kandidatja e LSI-së në Pukë, Sajmira Laçi dhe kryetarja e LRI-së, Romina Kuçi janë kërcënuar me jetë dhe janë dhunuar nga aktivistë dhe drejtues lokalë të PS. Ndërsa në Fushë-Krujë, Blerim Çela një anëtar i LSI-së është goditur me levë në kokë teksa ka qenë duke shkuar për në zyrat e shtabit elektoral të LSI-së.
Incidenti në Pukë
Ajo që ka ndodhur me dy drejtueset e LSI dhe LRI në Pukë mund të cilësohet si incidenti më i turpshëm i fushatës. Dy gra, Kryetarja e LSI-së dhe kandidatja e LSI-së në Pukë, Sajmira Laçi dhe kryetarja e LRI-së, Romina Kuçi janë kërcënuar dhe dhunuar nga aktivistë të PS. Ngjarja ka ndodhur teksa dy përfaqësueset e LSI-së ktheheshin nga një takim elektoral nga Fierza. Përfaqësues të shtabit elektoral të kandidatit të PS-së në Pukë u kanë zënë rrugën, i kanë kërcënuar dhe dhunuar. Mes personave që u kanë zënë pritë dhe kanë kërcënuar aktivitet e LSI-së kanë qenë koordinator të PS-së dhe të afërm të kandidatëve socialistë. Si pasojë e dhunës, kryetarja e LRI-së, Romina Kuçi ka humbur ndjenjat dhe është dërguar menjëherë në spital. Të dy gratë kanë marrë trajtim mjekësor në spitalin e Fushë-Arrëzit.
Gazeta “Koha Jonë” kontaktoi mbrëmjen e djeshme kandidaten e LSI-së, Sajmira Laçi e cila deklaroi se i është zënë pritë dhe është kërcënuar nga zyrtarë lokalë të PS-së dhe nga të afërm të kandidatit të PS-së, Paulin Luli. Kandidatja e LSI-së tha se ka bërë denoncim në polici, por deri në gjatë mbrëmjes nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet e shtetit. Ajo gjithashtu deklaroi se koordinatori i PS-së në Pukë, Pal Doçi e ka kërcënuar me jetë për t’u tërhequr nga fushata elektorale. Sipas saj, koordinatori i PS-së, i ka thënë “do të vrasë nëse nuk heq dorë nga fushata për LSI”. Sajmira Laçi deklaroi se kanë qenë më shumë se 5 persona që u kanë zënë pritë asaj dhe kryetares së Lëvizjes Rinore për Integrim.
Policia e Shtetit ende nuk ka dhënë një version zyrtar për ngjarjen e djeshme. Por cilido qoftë reagimi i policies, incidenti i Pukës është më i turpshmi dhe u vendos një njollë të zezë zgjedhjeve. Në fushatat e kaluara ka pasur incidente, rrahje dhunime, madje edhe vrasje. Por në asnjë rast grave nuk u është zënë pritë dhe aq më pak nuk janë dhunuar. Në asnjë rast, një tufë burrash, mes tyre dhe zyrtarë të institucioneve, siç pretendon Sajmira Laçci, nuk u kanë zënë pritë grave dhe tu bëjnë presion kriminal. Nga dinamika e asaj që ka ndodhur dje në Pukë rezulton se në mënyrën më paburrërore përfaqësues të PS-së kanë kërcënuar dhe dhunuar një nënë dhe një vajzë të re. Kjo është një ngjarje që shkon përtej incidenteve elektorale. Ky është një gjest frikacakësh që duhet të sjellë reagimin e gjithë shoqërisë dhe zyrtarëve të Partisë Socialiste. As me ligj e as me Kanun gruaja nuk preket apo dhunohet. Dikur kërciste pushka nëse prekej gruaja.
Goditja në Fushë-Krujë
Ndërsa ajo që ndodhi në Fushë Krujë me anëtarin e LSI-së Blerim Çela shënon incidentin e radhës serioz mes PS dhe LSI. Anëtari i LSI-së deklaroi se është goditur me levë në kokë për arsye politike. Një person i armatosur ka hyrë brenda zyrave elektorale të LSI-së në Fushë-Krujë dhe e ka qëlluar me levë në kokë. Ky variant i ngjarjes është konfirmuar si dëshmitare dhe nga kandidatja e LSI-së në Durrës, Nora Malaj. Ai është shtruar në spitalin ushtarak të Tiranës dhe gjendet nën kujdesin e mjekëve. Ilir Meta ishte në spital për të parë gjendjen e të plagosurit.
Incidentet tregojnë se përballja politike mes PS dhe LSI po merr tiparet e një përplasje të ashpër fizike për fajin e bandave të PS. Rilindja ka nxjerrë në fushë pjesën me kriminale të saj, grupet e dhunshme për presion dhe shantazh. Vetëm gjatë dy javëve të fundit ka pasur incidente serioze mes aktivistëve të dy kampeve. Në Fier u dhunua një maturant 18-vjeçar vetëm se deklaronte se do të votonte për LSI. Në Berat, një drejtues lokal i LSI-së u rrah dhe u kërcënua me pistoletë në kokë. Dhe më pas iu dogj makina nga militant të PS. Në Lezhë një anëtar i LSI-së u dhunua në mënyrë barbare me shkop bejsbolli. Ndërsa dy incidentet e djeshme janë edhe më të rëndat e fushatës, pasi tregojnë për një skenar dhune të organizuar nga Rilindja. Këto nuk janë më incidente sporadike dhe as ngjarje të momentet. Në pak ditë në 5 qarqe të vendit ka raportime për dhunë dhe kërcënime me jetë. Ajo që është shqetësuese lidhet me reagimin inekzistent të Policisë së Shtetit.
Ndaj mbrëmë në një konferencë urgjente për mediat nënkryetari i LSI, Luan Rama tha se denoncon këto akte dhune të organizuara e të dirigjuara nga kreu i Rilindjes Edi Rama. Heshtjen apo përzierjen e disa segmentëve të policisë Luan Rama e cilësoi kriminale dhe kërkoi shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Haki Çako si dhe disa shefave të komisariatëve të policisë në rrethet ku kanë ndodhur aktet e dhunës dhe mos reagimi i policisë për ndalimin e banditëve.
Situata duket se do të precipitojë rrezikshëm në këto ditë të fundit të fushatës, aq me shumë ditën e dielë dhe të hënë, kur priten rezultatet e votimit.