PS me arrogancë, PD me ultimatume!
Edi Rama në “Komunikimin e Javës” ishte i vendosur që PS do shkojë në zgjedhje,pa opozitën. Bile, ndonëse nuk ua përmendi emrin, edhe pa LSI dhe PDIU. Kryeministri tha se
“Frika nga drejtësia po i jep jetë dita ditës qasjes destruktive të PD-së… frika nga drejtësia e ka kthyer frikën ndaj gjykimit të popullit në një ditë që nuk duan të vijë kurrë.
Janë gati ta sakrifikojnë shqipërinë. Nuk e duan 18 qerhsorin, sepse populli nuk do të vendosë për 4 vitet e ardhshme në 18 qershor por për fatin e Shqipërisë. 18 qershori është dita e gjykimit dhe vendimit të popullit Sovran, për ti dhënë një mesazh shumë të qartë jo vetëm vendit por edhe ndërkombëtarëve…
Janë gati ta hedhin në erë urën e brishtë që mezi e kemi ndërtuar për 27 vjet me rradhë, urën e brishtë drejt BE-së. Janë gati të na ndajnë për së gjalli nga Europa e lirisë, e demokracisë. Janë gati të bashkohen me kundërshtarët e Europës, sepse e duan Shqipërisë si një çiflig.
Kjo është një betejë që Shqipëria nuk mund ta humbasë përsëri. Është një përplasje mes të shkuarës dhe të ardhmes. Është një ndarje mes errësirës së politikës së vjetër, mes një katudnit të vjetër mediatik dhe parimeve të Shqipërisë Europiane.
18 qershori do të sjellë një vendim të qartë, o me Europën o me frikën ndaj Europës, o me reformën në drejtësi, o me frikën ndaj reformës, o me një qeveri që lufton përdit, o me një qeveri që na kthen mbrapsht në avazin e vjetër, në errësirë.
Askujt të mos i shkojë në mendje se populli mund të ndalohet për të votuar në 18 qershor, këtë nuk do ta lejojmë kurrë.”.
Pra edhe dita e hënë do ikë si të tjerat. Nuk do te ketë takim dhe as marrëveshje PS-PD. Nuk ka ndërmend as të dëgjojë sugjerimin dhe kërkesën e aleatit strategjik dhe qeverimbajtës, Ilir Metës, i cili i është lutur politikisht dhe miqësisht për të gjetur ura dialogu me opozitën. Meta ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjedhje demokratike pa pjesëmarrjen e opozitës.
Por çdo ndodhë? Edi Rama të dielën pasdite se pohoi se “Askujt të mos i shkojë në mendje se populli mund të ndalohet për të votuar në 18 qershor, këtë nuk do ta lejojmë kurrë.”. Ndërsa lideri i opozitës, Lulzim Basha ka thënë në publik se jo vetëm nuk do marrin pjesë me 18 qershor, por as nuk do të bëhen zgjedhje.
Çdo të thotë kjo? Rama dhe Basha po shkojnë drejt konfrontimit me popull ditën e 18 qershorit?! Absurde! Si mundet që nuk gjejnë ura komunikimi dhe të ulen në tavolinë për të mos krijuar konflikt social. Ilir Meta u ka kërkuar të dyve të jenë të përgjegjshëm para popullit dhe se kur duhet kompromis ka nevojë që sejcili të lëshojë në mënyrë të barabartë, duke gjetur zgjidhje.
Lulzim Basha me ultimatume, kurse Edi Rama me arrogancë. Si do gjejnë kompromis? Apo me 18 qershor do provojnë takatin, njeri me polici dhe tjetri me popullin opozitar?!
(Marrë www.spjv.it)