Rama i LSI thotë për Ramën e PS: PS pa LSI humb pushtetin.E ka provuar vetëm!

Qeveria e Ramës ishte këto ditë para shpërbërjes totale. Bile mund të shkohej dhe në zgjedhje të parakohshme kur mbeten pesë muaj për të shkuar në zgjedhjet zyrtare të dekretuara nga Presidenti Nishani. Por gjithçka kaloi falë maturisë se dy liderëve të së majtës, Ilir Metës dhe Edi Ramës. Por zgjedhjet po vijnë dhe dilema nëse PS e LSI do jenë bashkë në këto zgjedhje duket se u zgjidh dje përfundimisht. Kur ishte gati të plaste “lufta” mes dy aleatëve në koalicion, si në një mot të mirë pas një rrebeshi plot breshër, palët treguan se dolën mbi interesat partiake momentale.

Ndërsa në mbrëmje në “Top Story” të Sokol Ballës numri një i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama tha pa asnjë hezitim se ne si LSI nuk prishim kontributin tonë për një të majtë të bashkuar, të cilin e kemi bërë që në prill 2013. E thënë me shkoqur ai de facto pranoi se PS dhe LSI do jenë bashkë në zgjedhjet e 18 qershorit. Ndonëse Luan Rama shtoi disa parakushte të vogla si gjoja “analizë e qeverisjes,etj”, nga publiku u perceptua se LSI do jetë bashkë me PS. Pra nuk ka çarje, porse synimi mbetet fitimi i zgjedhjeve të qershorit. Nënkryetari i LSI dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Luan Rama deklaroi mbrëmë se PS nuk fiton dot pa LSI-në.

“PS e ka parë çdo të thotë të konkurojë vetëm pa LSI. E majta është mazhorancë, ndërsa e djathta ka ardhur në pushtet sa herë e majta ka ngrënë vetveten”, tha Luan Rama në studion e “Top Story”.

Me këtë deklaratë, Luan Rama i referohej zgjedhjeve të 2009-ës kur partitë PS dhe LSI dolën të vetme në zgjedhje duke mos bërë të mundur krijimin e qeverisë nga PS. Pra Rama i LSI la të kuptojë se duhet përbashkim forcash, ndonëse siç tha më pas se na ka rënë barra që si LSI të bëjmë edhe qeverinë, edhe opozitën, pasi nuk ka opozitë. Ishte një akuzë e rëndë për Lulzim Bashën, por publiku akoma e përcepton PD-në me dy koka dhe akoma pa një strategji të fortë për të bindur votuesit që të vijë në pushtet. Pala qeverisëse, pavarësisht problemeve, debateve, sherreve, duket në avantazh në raport me të djathtën. Kjo nëse dalin përfundimisht bashkë PS me LSI në fushatën zgjedhore. Në të kundërt nuk dihet fati i PS-së.

Pas ditës së djeshme dhe faktit që Luan Rama në emër të LSI e pranoi se partia e tij nuk prish koalicionin të cilin e krijoi vetë në prill 2013, nuk ka nevojë të shtyhet firmosja e koalicionit të ri.

Tashmë frontet janë ndarë: PS dhe LSI bashkë me disa parti të tjera dhe përballë PD-ja me aleatët kryetarë partish, të cilët po bëjnë presion që ti fus Lulzim Basha në listën e deputetëve të PD-së.

Praglufta me të gjitha llojet e “armëve konvencionale dhe berthamore” mes Edi Ramës dhe Ilir Metës u mbyll. Ishte si pragbeteja mes SHBA dhe Rusisë në vitet ’60 ku në pak orë pritej katastrofa globale. Edhe dje Ilir Meta i kthyer nga Uashingtoni pas takimit me presidentin e senatit amerikan uli armët dhe gjeti mënyrë konsensuale mirëkuptimi përballë palës tjetër, e cila është ftuar prej muajsh në Moskë për vizitë kryeministrore.

Spiten Prulli

SHKARKO APP