PS rrëzon dekretin me forcën e kartonit, por jo argumentet e Presidentit

Komisioni ligjeve rrëzoi sot vetëm me votat e PS dekretin e kreut të shtetit për kthimin e ligjit për tarifat gjyqësore. Jashtë debateve politike, ky vendim përkthehet në më shumë para dhe taksa që dalin nga xhepat e qytetarëve për tarifat e proceseve gjyqësore. Ligji i miratuar nga PS dhe që u kthye nga Presidenti Ilir Meta për rishikim në Kuvend, sanksionon një rritje drastike dhe të menjëhershme të tarifave gjyqësore.

Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar ligjin nr.98/2017, datë 02.11.2017, “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Në zbatim të kërkesave të kushtetutës ky ligj i është përcjellë Presidentit për tu shprehur me dekret.

Rezulton se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në përmbushje të kompetencave të tij Kushtetuese, të parashikuara në nenin 85  pika 1, dhe 93 të Kushtetutës, pasi ka vlerësuar me kujdes përmbajtjen dhe parashikimet e dispozitave të ligjit nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, në krahasim me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e vëndit, është shprehur me Dekretin nr.10656, datë 22.11.2017, me të cilin ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, duke rekomanduar përpos të tjerave dhe, rishqyrtimin e këtij ligji, së bashku me projektligjin e “Ndihmës Juridike”.

Dokumenti mbi arsyet e kthimit për rishqyrtim të këtij ligji, ku janë parashikuar në mënyrë shteruese argumentet kushtetues, i është paraqitur Kuvendit sëbashku me Dekretin nr.10656, datë 22.11.2017.

Duke shqyrtuar dokumentin e arësyeve të kthimit të ligjit rezulton se Presidentit i Republikës, e ka mbështetur vendimarrjen e Tij, bazuar në këto argumenta kryesor;

Së pari, niveli i tarifave, i parashikuar në ligjin nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, është bërë në mungesë të një studimi të thelluar dhe, në krahasim me tarifat e sotme, ka një rritje drastike dhe të menjëhershme të tyre, gjë e cila paraqet rrezik të lartë, për vështirësimin e aksesit në drejtësi të shtresave në nevojë.

Së dyti, mekanizmat e parashikuara në këtë ligj për mbrojtjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë për të përballuar tarifat e reja gjyqësore, nuk janë të përshtatshme, pasi mungojnë dispozitat e qarta që garantojnë mbrojtjen e nevojshme. Dispozitat e miratuara në këtë drejtim nuk garantojnë sigurinë ligjore.

Së treti, parashikimet e këtij ligji nuk ndihmojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e problematikës së financimit të pamjaftueshëm të sistemit gjyqësor, megjithëse ky ligj parashikon rritjen e tarifave në shërbim.

Për këto çështje në dokumentin arësyetues që shoqëron dekretin është dhënë në mënyrë të qartë dhe ezauruese arësyetimi kushtetuese duke bërë edhe referenca në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, se përse ky ligj shkel parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Më datë 12.12.2017, Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, ka marrë në shqyrtim Dekretin e Presidentit të Republikës, nr.10656, datë 22.11.2017, dhe pas debateve në lidhje mbi këtë çështje dhe argumenteve pro dhe kundër, me shumicën e votave të maxhorancës komisioni ka vendosur: “Rrëzimin e Dekretit të Presidentit”.

SHKARKO APP