PS thyen dyert në Devoll dhe merr zyrën e kryebashkiakut
Drejtuesit e PS në Devoll kanë marrë me dhunë pasditen e sotme ambientet e bashkisë së këtij qyteti. Kryebashkiaku i ri i Partisë Socialiste në Devoll, Eduard Duro ka shkuar te bashkia, menjëherë sapo ish-kryetari i kësaj bashkie, Bledion Nallbati i Partisë Demokratike, ka përfunduar orarin zyrtar të punës.
Dera e bashkisë është hapur me forcë nga një komision i zgjedhur nga kryetari i ri i bashkisë. Një punonjës i bashkisë ka thyer bravën e derës duke e hapur atë, në mënyrë që të futet në zyrën e tij kryebashkiaku i ri.
Sot në Devoll pati përplasje dhe tensione, pasi socialistët vendosën të konstituonin këshillin bashkiak.
Pas thyerjes së dyerve nga PS, kryetari në detyrë i Bashkisë së Devollit, Bledion Nallbati është shprehur se, ditën e hënë do ti rikthehet normalisht detyrës. “Siç e keni parë edhe nga pamjet, sot ka nisur uzurpimi i institucionit të bashkisë së Devollit nga partia-shtet që tashmë dihet se ka vendosur të jetë qeveri, parlament, gjykatë, prokurori, së fundmi është bërë edhe partia-bashki, duke shkallmuar në mënyrë të paligjshme dyert e institucionit”, u shpreh Nallbati.
Sipas tij, gjithçka ka nisur pas orarit zyrtar të punës. “Deri në 16:00 kam qenë vetë prezent në zyrë”, shprehet kryetari i bashkisë së Devollit. “Unë do të paraqitem në zyrë në 8:00. Nëse e ata e mbajnë të rrethuar me policë, sigurisht unë nuk do të bëj luftën me shtetin. Do të bëj kallëzimet penale përkatëse për uzurpimin e institucionit”,- deklaroi Nallbati.
“U detyruam të hynim në këtë mënyrë”, u shpreh Duro. I pyetur nga gazetarët nëse do të largime të punonjësve nga puna, kryebashkiaku i ri tha: “Jo, asnjë largim.”