Pse bëri mirë gjyqtari Arian Qafa që dha dorëheqjen para Erion Veliaj?
Pushteti dha një shenjë publike se e do pushtetin gjyqësor nën kontroll të tij. Deri tani parimi i PS-së ishte se duhet shkatërruar ky sistem i kalbur drejtësie për ta vënë nën shërbim të publikut. Parimisht ishte në rregull qeverisja e Ramës. Por kur ka interesa direkte apo indirekte për pallate shumëkatshe tek Liqeni apo tek fakulteti Ekonomik, aty ku ngjitesh për tek Parku Kombëtar, pushteti jo vetëm që i dha vetë lejet e ndërtimit katastrofik për Parkun e kryeqytetin, por edhe gjykatat ishin “korrekte e ligjore”. Kur tek Diga e Liqenit nuk kishte interesa për vete, sepse biznesmenët ishin “të Saliut” nxori në udhë kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me mikrofon në dorë duke bërë presion Apelit Administrativ me deputetët e PS-së, të cilët (pra deputetët) kanë edhe konflikt interesi se janë ndërtues.
Arian Qafa një gjyqtar apeli administrativ dha dorëheqjen pas një rezistente disa ditore ndaj Erion Veliajt. U dorëzua para pushtetit ekzekutiv dhe bëri mirë që publiku të shoh se cili është synimi i pushtetit të Edi Ramës, pra nënshtrimi i tij siç bëri Berisha disa vite. Njërëzit nuk votuan dhe nuk do të votojnë një forcë politike që t’i heqë drejtësinë nga duart një pale dhe ta përlajë për vete një palë tjetër. Populli do drejtësi të drejtë, jashtë ndikimeve e pushtetit politik, kushdo qoftë në pushtet. Fakti që pushteti vendor në kryeqytet bëri presion për pallatet tek diga (dhe mendoj se ka të drejtë),por nuk flet asnjë fjalë për pallatet tek Parku Kombëtar (afër fakultetit Ekonomik), pra kjo tregon se mazhoranca po vepron me dy standarte drejtësie. Kur ka interesa për vete thotë se “gjykata është e drejtë” dhe kur nuk ka interesa apo përfitime direkte del me mikrofon para gjykatave duke presion me ca ndërtues të tjerë socialistë.
Kjo është e patolerueshme. Pse Edi Rama del në televizion dhe deklaron se iks person ka ndërtim të drejtë ndërkohë që çështja është një gjykim në Kavajë? Pse apo ka interesa direkte? Pra kur duan drejtësia është “ e padrejtë dhe e korruptuar” dhe kur iu mbushet xhepi me euro “gjykata mbetet e saktë”!
Arian Qafa bëri mirë që iku nga gjykimi për t’i lenë publikut të gjykojë ftohtë se ç’po bën pushteti. Natyrisht që drejtësia ka nevojë për reformë drastike siç po synohet, porse nuk mundet që pushteti ekzekutiv të vërë nën varësi pushtetin e drejtësisë,sepse shkojmë drejt një rendi diktatorial demokratik si në disa vendet të Amerikës Latine.
Pushteti Ekzekutiv e mposhti dje pushtetin gjyqesor dhe është në revansh. Nëse nuk ndalet do jetë vonë, ashtu sikurse ka nevojë për ndryshim të krejt sistemit të drejtësisë.