Pse doli Edi Rama, me kalanë e Rozafës, pas betimit të Presidentit Meta?

Edi Rama, që nuk rri dot pa facebook dhe debat online me ndjekësit e tij, edhe militantë, shkroi këtë tekst dhe postoi një foto nga Kalaja e Rozafës në Shkodër. Ja se ç’shkruan kryeministri Rama sot: Me këtë pamje nga Kalaja e Rozafës në Shkodër, ju uroj një ditë të mbarë.

Pse, një ditë pasi u betua dhe mori detyrën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, del me një foto kryeministri, pikërisht nga Kalaja e Rozafës? Dikush mund të thotë se janë teori konspirative këto që hamendësojmë, nisur nga foto e kalasë së Rozafës, postuar nga Edi Rama. Por kushdo që e njeh mirë Edi Ramën e di se ai ka një mendje diabolike, ndër të tjera, e përzier me art, fasadë brilante, bile edhe me arrogancë të këndshme.

Foto e publikuar sot nga Edi Rama.

Por para se ti kthehemi argumentit pse sot Edi Rama kujtoi historinë e Kalasë së Rozafës, ku gojëdhënat tregojnë se ditën ndërtohej, kurse natën prishej, rrëzohej nga një dorë e fshehtë. Po, nëse i referohemi diabolikës së kryeministrit duhet të pyesim kush po ndërton “Rozafën” e sotme dhe cili po e prish (!), pra shtetin e sotëm shqiptar. Dhe një mori pyetjesh, nisur nga foto e sotme.

Më parë po japim diçka për historinë e kalasë së Rozafës në Shkodër, si për disa që mund të mos e dijnë, si për ata që kanë lexuar, por gjithësesi u ripërtërijmë memorien.

Kala e Rozafës

Rozafa është zanafilla e një qyteti të lashtë e legjendar. Gjithçka fillon me një legjendë, gjithçka vazhdon si në legjendë. Rozafa ishte aty, para se Krishti të lindte, ajo është aty edhe sot.

Për ata që e njohin legjendën e Rozafës, e kanë të qartë se në muret e saj prehet një trup i gjallë nëne, shkruan Arben Çokaj në lidhje me këtë histori. Dhe ai vazhdon mrekullisht se gruaja ‘Rozafë’ lutet që t’ia lënë njërin gji jashtë, për të ushqyer me qumësht djalin e saj të vogël. Me trupin e saj, Rozafa i dha jetë një fëmije, me sinqeritetin dhe vetë-flijimin e saj, ajo i dha jetë një qyteti. Mbi të u ngrit një kala, tre vëllezërit e legjendës gjetën mirëkuptim mbi murosjen e kësaj gruaje. Si gjithmonë, dikush flijohet që diçka më e madhe të jetojë. Dhe Shkodra jetoi në shekuj mbi flijimin legjendar.

Vetë historia njerëzore, në turbulencën e saj nën-ndërgjegjësore, ka provuar paarsyen e vet paradoksale:

Diçka e shenjtë jepet, diçka e shenjtë fitohet! Jeta është e shenjtë. Dhe brezat që vijnë, gëzojnë mbi atë që u shua. Rozafa, kjo grua naive, mund të kishte vdekur si të gjitha të tjerat – e harruar, por ajo vdiq, pa e ditur as vetë, për të jetuar si legjendë. Ky paradoks i arsyes njerëzore na çon tek një fillim: Plaku orakull, u tregon vëllezërve se duhet të murosin njërën nga gratë, që muri të qëndrojë. A mos ndoshta ky mësim filozofik i orakullit, kjo simbolikë unike e veprimit, don të thotë, se kur ti humbet diçka të shtrenjtë, fillon dhe e vlerëson atë, që ti ndërton mbi këtë humbje?… Dhe kjo ndodh krejt natyrshëm në kohën e Rozafës, gruas që u muros për të dhënë jetë. Ajo u muros se thoshte orakulli, u martirizua për hir të zakonit, dhe kjo përbën forcën filozofike të vetë legjendës: flijimin si domosdoshmëri të padiskutueshme. Por a janë të gatshëm vallë, të gjithë njerëzit të flijojnë? Jo, por në të vërtetë, po! Secili nga ne humbet diçka, dikush më shumë, dikush më pak, pa dëshirën tonë, pa vetëdijen tonë. Kjo ndodh po aq natyrshëm, sa ç’ndodhi me Rozafën. Por humbjet tona janë të vogla, individuale, ndërkohë që humbja e Rozafës u bë për hir të interesave globalë: ndërtimit të një muri mbrojtës për qytetin e Shkodrës.

Pak histori

Në shekullin V – IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m. Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.k. Nga monedha mësojmë emrin që ka patur qyteti në atë kohë, Scodrinon. Në vitin 181 p.k. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Në shekullin II p.k. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Diokleciani e kthen në qendër krahinore. Më vonë bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shek. Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër Bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj.

Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik. Kalaja e Shkodrës ishte kalaja e fundit që ra në shekullin e XV, kur më vitin 1479 Sulltan Mehmeti II e rrethoi me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitari i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Europë në vitin 1504. Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku, nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane. 

Më 1865 kalaja braktiset pasi Lumi Drin ka ndryshuar shtratin e tij.

Logjika edviniste

Sot kalaja është ajo, si në foton e kryeministrit Edi Rama. Çfarë e ka munduar gjithë natën e mbrëmshme Edi Ramën, që është zgjuar kaq herët sot me një foto nga Shkodra dhe ka përzgjedhur kalanë e Rozafës. Kush po ia rrëzon natën murin e kalasë së pushtetit të tij? Vetvetja, Ilir Meta apo Lulzim Basha? Cila “Rozafë” duhet sakrifikuar për të ruajtur “kalanë” e tij për mandatin e dytë pushtetar?

Diçka e mundon Edi Ramën pas marrjes së presidencës nga Ilir Meta, i cili e mori zyrtarisht, moralisht dhe tashmë kundron se kush heq “gurët” e “kalasë” së shtetit, do ketë ndëshkim. Natyrisht Rama nuk mund të jetë “Rozafë”, sepse duhen të tjera cilësi virtuoze dhe hyjnore nga ato që mbart ai, për ta bërë këtë sublimitet.

Po çfarë e sikletos kryeministrin që nuk fle, duke ruajtur “kalanë” pushtetore, se mos ia rrëzojnë, natën? Ilir Meta, nëse do e rrëzon ditën, hapur dhe jo me fytyrë mbuluar, “kalanë” e ngritur për interesa pushtetare. E ka thjesht: Nuk firmos dekretin për asnjë ministër të përzier në afera votash apo shkelje ligji. Nëse raporti i OSBE-ODIHR do jetë negativ nuk firmos as kryeministrin e “kalasë”.

Edi Rama nuk fle deri ditën që do të dalë dekreti presidencial ! Cilën “rozafë” nga PS do të sakrifikikojë për dekretin e “kalasë” se pushtetit, nuk dihet tamam, por një do ta sakrifikojë!

SHKARKO APP