Pse duhet të jesh patjetër te “lista e mbyllur”?!

Nga Nikoll Lesi
Sistemi zgjedhor më përfekt në kushtet e Shqipërisë do të ishte ai që kishim para disa vitëve, me 100 zona sistem mazhoritar dhe 40 deputet nga përqindja e partive politike në rang kombëtar. Pra qytetari zgjedh direkt emrin e deputetit që ka besim dhe njëkohësisht voton edhe partinë politike te e cila militon apo simpatizon. Natyrisht që kandidati në mazhoritar në rang zone elektorale përveç mbështetjes politike luan edhe me integritetin e tij personal.
Ky do të ishte shansi që votuesi voton partinë, por mund të ndodh që nuk voton kandidatin e partisë!
Tani jemi në kushtet e sistemit proporcional në rang qarku, ku listën e cakton partia ose me saktë kryetari i partisë. Ky sistem elektoral është votuar pikërisht edhe nga deputetët që sot varin buzët se nuk gjenden në “listën e mbyllur”. Atëhere pse e votuan këtë Kod Zgjedhor kur nuk kishin bindjen te rezultati seleksionues i sistemit, pra që votuesit zgjidhte direkt deputetin e tij e nuk kishte nevojë për portalin “deputeti që duam”.
Unë personalisht kam kandiduar dy herë në sistem mazhoritar dhe fitova. Ndërsa në vitin 2005 u zgjodha deputet duke marrë vota të partisë demokristiane, të cilën e drejtova katër vite dhe me pas ika nga politika aktive, edhe pse marrëveshja e vitit 2008 mes Sali Berishës dhe Edi Ramës deformoi krejt sistemin zgjedhor. Të dy janë bashkëpërgjegjës e nuk ka pse bërtet Berisha sot, se “Rama shkatërroi lirinë e votës”. Nëse Berisha nuk do ta bënte atë marrëveshje me Edi Ramën, Shqipëria do të ishte ndryshe në raport me Kodin Zgjedhor.
Për të qenë edhe me të saktë, këtë Kod Zgjedhor bashkë e kaluan në parlament sapo ranë dakort për “listat e mbyllura”, të cilat nga mbrëmë po nxjerrin inatin dhe mllefin e disa deputetëve, të cilëve iu është prekur interesi.
Natyrisht që mund të kishte përzgjedhje me të mirë, në të dyja kampet, por në një farë mënyre duhet kuptuar se edhe “listat e hapura” janë një “mazhoritar” brenda koalicionit apo partisë tënde. Kur je i bindur se ke merita, që kanë besim anëtarsia dhe votuesit, njeriu shkon në përballje edhe mes “vëllezërve e motrave” të forcës tënde politike e ku fiton më i miri.
Për këtë kemi shembullin e Fatmir Xhafës në zgjedhjet e fundit parlamentare. Njeri me integritet, personal të fortë dhe që i hyri “detit në këmbë”, duke suprizuar cilindo në PS. Dhe fitoi! Bile pas kësaj tregoi se nuk është partia që e mban në politikë, por ai shton shton kuotat e PS!
Deputeti që del nga “listat e hapura” ka edhe me shumë personalitet në parlament. Në fund të fundit nuk i ka borgj kryetarit të partisë. Është njeri më i lirë. Bile nesër , nëse fiton forca e tij politike, ai mund të votojë edhe kundër një vendimi apo projektligji të qeverisë së tij, kur nuk bindet në dobinë e tij.
Ndaj meritë, qejfmbetjet apo akuzat se me lanë jashtë “listës së mbyllur” nuk kanë efekt në popull. Në një farë mënyre nuk ke qenë ti që i ke dhënë forcës tënde politike, por ti ke marrë nga partia pushtet, si qofsh në opozitë, apo edhe në pushtet.