PragReforme/Pse palët politike e duan shpejt Gjergji Bojaxhiun në burg?

Akuzat janë shumë të rënda për Gjergji Bojaxhiun. Të paktën me çfarë dolën në media nga hetimi policor që ka përfunduar në zyrat e Prokurorisë. Bojaxhiu është biznesmen, politikan, i shoqërisë civile, kandidat për të krijuar një forcë të re politike. Njeri me shumë pasuri. Gjithnjë sipas hetimit policor e kemi fjalën për shumat në dollarë dhe euro që ka qarkulluar. Edhe në zgjedhjet e pushtetit vendor 2015 kur kandidoi në Tiranë ai mori vota të konsiderueshme dhe bëri një fushatë jo pak të kushtueshme financiare. Ishte një votë me shumë kundër partive të mëdha  e jo votë për Gjergji Bojaxhiun si person. Të paktën kështu duket. Por Gjergji Bojaxhiu jo vetëm që ka aktivitet privat dhe në shuma të konsiderueshme, porse synon, të paktën për sa ka thënë në publik, se duhet ndërruar kjo klasë politike. Por hetimi që rezultoi problematik nga policia ka mundësi të sjellë një “peshk” pothuaj të pranueshëm për Prokurorinë e cila kohët e fundit nuk po kursen këtë kategori. PS-ja tregoi se nuk e do në qarkullim Bojaxhiun, pasi mbaroi punë me zgjedhjet vendore kur i hyri në punë sepse me shumë vota ai mori nga e djathta e Halim Kosovës dhe vota neutrale ose të inatosura. PD-ja natyrisht që nuk e do në treg sepse mund t’i prishë prapë punë në shkallë kombëtare, nëse ai del si forcë politike kundër saj. Aq me tepër selia blu nuk i beson më pas votave indirekte që dërgoi në koshin e Erion Veliajt. Edhe LSI nuk besohet se mund t’i hyjë në punë në çdo rast. Edhe Ben Blushit që po krijon forcë të re politike nuk i hyn në punë, ky Bojaxhiu. Blushi nuk ka asnjë lekë për fushatë, por ka frymën protij, ka shumë përkrahës, kurse Bojaxhiu me shumë lekë bën fushatë dhe na shpjegon se si duhet të kemi “shtet të së drejtës!”. Drejtësia nuk duhet të stepet për të vënë para përgjegjsisë hajdutët politikë. Kushdo qoftë!

Kjo është tabloja politike para oborrit të organit të akuzës. Pra një politikan që ka shkelur ligjin, sipas policisë , dhe pastrim parash në shuma marramëndëse. Edhe Spiro Kseren e futën brenda, se kishte shkelur ligjin, sipas prokurorisë , por as vetë PD-ja  nuk donte ta mbronte, as PS-ja e as vetë PBDNJ nuk e mbështeste, sepse kishte konfliktet me Vangjel Dulen, të cilit i iku duke iu bashkuar selisë blu. Të gjithë e braktisën në fatin e tij. Pra edhe për Gjergji Bojaxhiun duket se të gjithë janë të bashkuar për të bërë një “kurban” para Reformës në Drejtësi ose gjatë atyre ditëve. Aq me tepër që akuzat janë shumë të rënda dhe vetëm prangat  të shpëtojnë, nëse dalin të verteta ajo mori dokumentash. Faktet sipas policisë e tregojnë kokë e këmbë të përzier në transferime parash.

Ja dhe reagimi i Gjergj Bojaxhiut:

Shumë njerëz në vendin tim do e linin në heshtje një kronikë televizive akuzash në mënyrë që të harrohej apo të mos amplifikohej. Por unë, si në çdo betejë të vogël apo të madhe, kam zgjedhur t’i qëndroj përballë.

Që para garës sime për Tiranën, kam patur shumë “këshilla miqësore” apo kërcënime indirekte që të shikoja punët e mia. Këta njerëz kërkonin që të më zmbrapsnin jo vetëm mua, por edhe çdo zë që denonconte publikisht batërdinë e tyre në Shqipërinë ku jetojmë. Ata kanë zgjedhur mënyrën e tyre tipike mafioze që nëse nuk e blen dot, kërcënoje.

Të jeni të sigurtë që pa rrezikuar baltosjen mbi familjen, punën, bashkëpunëtorët apo miqtë nuk mund të flasë askush publikisht kundrejt këtij grupi politik që operon me ligjet e mafies. Edhe sikur vetë Papën të sjellim në Shqipëri për ti kundërshtuar dhe denoncuar, prapë klasa politike këtu do e përlyejnë për ta bërë të duket si ata apo mos me keq, në mënyrë që qytetarët të humbin shpresën se ka njerëz të ndershëm në këtë vend.

Në interes të opinionit publik, dua të sqaroj se kompania ku unë punoj në rolin e administratorit, është tatimpaguese e rregullt dhe nuk ka qënë kurrë pjesë e ndonjë afere apo abuzimi me ligjet fiskale. Ne jemi subjekt kontrolli nga institucionet ligjzbatuese dhe kemi patur dhe vazhdojmë të kemi marrëdhënie korrekte dhe institucionale me to.

Unë, Gjergj Bojaxhi, që prej kthimit nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2005, kam deklaruar çdo vit të ardhurat dhe kam qënë subjekt kontrolli. Duke patur edhe nënshtetësinë amerikane, kam detyrimin e deklarimit vjetor të të ardhurave të mia edhe në Shtetet e Bashkuara. Ligjet atje, kërkojnë që shteti Amerikan të vihet në dijeni jo vetëm për të gjitha të ardhurat, por edhe për llogaritë e mia kudo që gjenden ato si edhe të kompanisë që unë drejtoj.

Fakt është që në asnjë rresht të lajmit, as unë dhe as kompania që unë drejtoj, nuk akuzohet për ndonjë shkelje ligjore specifike. Hamendësimet, rreshtimi i numrave, personave apo kompanive si ARMO, CREDINS etj në të njëjtin lajm me aktivitetin tim, nuk i bëjnë nder askujt dhe shërbejnë vetëm për të hedhur baltë dhe keqorientuar qytetarët.

Dëshiroj të garantoj, që unë dhe kompania që unë drejtoj, jemi 100% të hapur dhe dëshirojmë të bashkëpunojmë për të bërë transparencë deri në fund. Jemi të gatshëm të ndajmë me të gjitha organet ligjzbatuese shqiptare e amerikane të gjitha informacionet dhe dokumentacionin që disponojmë.

Dëshiroj gjithashtu, të bëj me dije, se sulme të tilla nuk do të më trembin dhe as të më stepin për të hequr dorë nga aktivizimi im qytetar dhe politik. Miq, fabrikime të tilla të turpshme, nuk do të më detyrojnë kurrë të tërhiqem nga rrugëtimi ynë i përbashkët. E vetmja mënyrë që asnjë qytetar tjetër të mos shantazhohet nga kjo politikë mafioze është t’i çojmë deri në fund të gjitha projektet e diskutuara dhe filluara së bashku.

Gjergj Bojaxhi

SHKARKO APP