Pse Edi Rama po gabon përditë

Nga Nikoll Lesi

Që prej hapjes së letrave të mbyllura prej vitesh, porse të zhublavitura prej Edi Ramës përkundrejt Ilir Metës, duket se raportet Rama-Meta nuk janë si ato të 1 prillit 2013. Diçka është rithyer nga ngjitja artificiale e kockave politike e ka mundësi se nuk ka “doktor” që ua  ngjit më, ndonëse të mërkurën në darkë vonë darkuan me një kec skrapari në tavolinë. Kanë kaluar darka me “ngjala” apo me “karkaleca” bashkë, porse javën më pas kanë menduar se si t’ia fusin njeri tjetrit. Edhe kjo darkë “keci” si “ngjalat” do shkojë, pasi kështu e kanë ndërtuar koalicionin. Të dy, Rama dhe Meta, kanë bërë një qeveri më shumë me miq e interesa se sa profesionale e politike për të mbajtur premtimet para popullit. Por Rama e ka riskun e madh, ai është kryeministër dhe ai bie në humnerë, kur qytetarët ndahen të revoltuar me qeverisjen.

Edi Rama ka një problem brenda vetes; nuk beson në partneritete strategjike dhe politike me asnjë individ apo forcë politike. Ai beson dhe njeh si lider shpirtëror “supërdeputetin” Kokëdhima, të cilin edhe të merkurën në darkë e mori pas vetes tek Meta.  Ai bashkëdrejton socialistët me idetë dhe interesat e Koços. Gabim i madh zoti Rama!

Edi Rama pranon ministra si Ilir Beqja e Arben Ahmetaj, të cilët mund të jenë punëtorë, porse janë të mbarsur me akuza shpërdoruese në dhjetra e qindra milionë euro, ai synon të hyjë në historinë e Shqipërisë duke bërë, sipas atij, diçka të mirë për vendin. Por nuk ka zgjedhur mënyrën e duhur; ka dyshimin në gjithçka e kudo dhe nuk prodhon aleancë të qëndrueshme. Ai prapë mbetet personi i duhur për këtë Shqipëri rrumpallë në kulturë e në administrimin e vetvetes si shoqeri.Kemi probleme emancipimi dhe ndergjegje si shoqeri e ndaj kemi një klasë të tillë politike. Ndaj në këto kushte ai mund të vendosë rregulla ku sejcili të paguaj taksat për llogari të shtetit dhe mirë ai bën, sepse shteti ka ligje të cilat duhen zbatuar, edhe nëse nuk ke mundësi për të shkundur xhepat. Qeveria e tij duhet të hap mundësi investimi dhe punësimi, të cilat nuk po duken me kaq shpresë sa thonë mediat pranë PS-së apo ato që kanë ikur nga Saliu drejt pushtetit të tij. Qeveria e tij duhet të jetë më e zhdërvjedhët në raport me biznesin, të pranoj kur e ka gabim dhe të kërkojë falje kur një praktikë qeverisëse nuk jep rezultat, e aq me tepër të ketë sensin e daljes së shpejtë nga qorrsokaku ku ka rënë. Edi Rama përpiqet të punojë, ndaj nuk bindem se nuk ka plane zhvillimi. Por ato që ka në mendje duhet të zbatohen e jo të jetë mospërfillës apo edhe më keq shpotitës me ata që e kritikojnë. Në fund të fundit Rama është një administrator i taksave tona, i pushtetit që i kanë dhënë vota e të gjithëve që përbëjnë shumicën, ndonëse shumicat lëvizin herëpas’here. Ato kalojnë edhe në të kundërt teje, kur nuk je i sinqertë në raport me ato që të kanë votuar e që presin prej teje si shef i qeverisë që t’ju ofrosh mundësi të punojnë e të rrisin mirëqënien në mënyrë ligjore.

Edi Rama punon, por ai ka një të keqe të madhe e cila po konturohet prej dy vitesh e kusur kur ka pushtet të madh nëpër duar. Ai do supërpushtet. Dhe këtu i ngatërrohen këmbët , ndonëse është trupmadh. Edi Rama ka nevojë për keshilltarë me eksperiencë të cilët nuk e kanë mendjen se çfarë të zhvasin nga paratë e qeverisë, porse të jenë profesionistë e të përkushtuar. Si nuk doli një keshilltar, ose të paktën njeri nga miqtë e tij që t’i thotë të jetë me fjalëpak kur del në salla me njërëz. Por e duartrokasin dhe i thonë “ishe shkëlqyer, ishe yll!”.

Edi Rama ka nevojë të ndryshojë pa asnjë mëshirë veten në disa praktika drejtimi, por pikësëpëri qeverinë. Një qeveri e lodhur, e stërkequr përsësgjalli. Nuk mund të jesh kryeministër pasionant, dhe nuk e vë në dyshim që është në këtë sens Edi Rama, por të jesh  edhe ministër finance, edhe ministër ekonomie, edhe ministër kulture, edhe ministër i brendshëm e kështu me radhë, nuk mund të jeni efektiv.  Përkundrazi tregon despotizëm demokratik. Nuk i bën dot të gjitha sikur të flejë në zyrë e të mos ngjitet në Surrel. Duhet që ministrat të punojnë e ai nuk i ka të gjithë, siç duhet. Gjysmën i ka me “vesh të prerë”, një pjesë nuk “shikojnë”. Ata që mbeten shikojnë palën pa sy e veshë!

Nëse nuk bën ndryshime drastike në qeveri dhe të sjellë profesionistë e me autoritet politik që mbajnë përgjegjsi ekzekutive e ku kryeministri të mos iu kontrollojë edhe ngjyrën e bojës së stilolapsit kur firmosin, pra pa këtë lëvizje të madhe ministrash, Edi Rama do të dështojë.

Edi Rama ka nevojë të reflektojë me veten e tij. Ai ka nevojë të na dëshmojë se nuk ka asnjë lidhje me këto që po thuhen për disa prej ministrave të tij për miliona euro që po turbullojnë miletin, ndonëse ka plot gënjështra edhe në këtë zallahi.

Rama ka nevojë të jetë Edi, që na premtoi zhvillim, transparencë, ligj dhe qeverisje tjetër.

Por ka nevojë të jetë edhe më guximtar; të  na thotë që nëse nuk ecet më dhe hajde, le të shkojmë në zgjedhje. Sovrani të vendosë nëse i pëlqeu Rama i këtyre dy vite e kusur apo jo. Por kjo kërkon vendimmarrje prej Burri Shteti e jo të dëgjojë ministra, mediatikë apo “supërdeputetin”, të cilët flenë në bahçen e tij politike e ndonjëherë flirtojnë edhe me kundërshtarët e tij, nisur vetëm nga interesat private të tyre.

Pra Rama nuk rrethohet krejtësisht nga njërëz që duan të mirën e vendit dhe të tijën. Disa, përreth tij, deputetë e ministra po bëjnë lekë të madh. Ai, pra Kryeministri, nëse nuk shikon mirë atëhere ka nevojë për syze nga prokuroria; nëse nuk ka gisht në këto makinacione korrupsioni atëhere t’ju presë dorën atyre. Por lekë po bëjnë disa syresh që flasin nën emrin e tij dhe nuk janë të paktë.

Ndaj ai po bën gabime përditë. Por kur gabimet vazhdojnë në seri ato bëhen faje dhe kur fajet rëndohen populli të largon me revoltë, edhe si ky i 21 janarit pesë vite me parë.

SHKARKO APP