Pse kaq xhelozi kur Meta ftohet në Senatin e Kongresin Amerikan?
Ilir Meta gjatë vitit të fundit ka qenë i ftuar disa herë në Kongresin dhe Senatin e SHBA. Dy herët e fundit, një herë nga administrata Obama dhe këto ditë nga Senati dhe Kongresi, të cilët tashmë janë në shumicën republikane të Presidentit Trump.
Para disa vitëve disa media, të sponsorizuara nga një miliarder dhe një pronar mediatik milioner shqiptarë antiMeta, shkruanin se Ilir Metën nuk e ftojnë në SHBA. Tani që brenda një viti është ftuar mbi pesë herë në takime të cilat janë bërë zyrtare me foto, tekste, sinkron e video thonë se pse ka shkuar, kush e ftoi,etj.
Natyrisht që kudo politika punon me lobingje. Është krejt normale. Kudo në vendet demokratike kështu punohet.
Po pse kjo mëri e madhe nga disa qarqe mediatike të majta kundrejt liderit të LSI? Se nuk po firmos koalicionin, siç duan në selinë rozë? Se po ftohet në Uashingtonin zyrtar? Apo pse? Në vend që në selinë e PS-së të gëzohen se përveç drejtuesve të opozitës si Lulzim Bashës, Fatmir Mediut e Vangjel Dules ishte dhe një aleat bashkëqeverisës për të zbutur sadopak inatin e administratës së re Trump kundrejt kryeministrit; turren dhe hamëndësojnë gjithfarë pisllëqesh mediatike. E keqja shtohet kur dhe analistë me emër dhe dinjitozë bien në kurthin e ndonjë sponsori miliarder që shkon me çdo pushtet.
Askush nuk u bë xheloz nga e majta kur Edi Rama shkonte në Gjermani te Angela Merkel. Apo kur ish-kryeministri britanik Tony Blair punonte për kryeministrin shqiptar. Përkundrazi.