Pse nuk pranojnë OPDAT dhe EURALIUS transmetimin live të negociatave?

Partitë politike kanë më pak se 48 orë kohë për të arritur konsensusin për reformën në drejtësi. Kreu i Parlamentit Ilir Meta, i cili po drejton dhe negocion palët, deklaroi se këto orë janë të rëndësishme për Shqipërinë. Ndaj dhe sugjeroi se negociatat duhet që të jenë të hapura për publikun, live, debatet dhe diskutimet.

Sipas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha kanë mbetur disa çështje për t’u negociuar për të cilat ende nuk ka dakordësi. Të hënën në mesnatë ishin duke e firmosur draftin PS-LSI-PD, por sipas Bashës ishte Kryeministri që e shkatërroi konsensusin.

Reforma është cilësuar si procesi më i rëndësishëm në vend. Më 21 korrik do të ndryshohet thuajse gjithë Kushtetuta e Republikës. Deputetë socialistë e kanë quajtur edhe si Pavarësia e dytë e vendit. Por nëse është kaq e rëndësishme, përse një proces i tillë duhet të bëhet me negociata të fshehta? Pse nuk e lejojnë direkt të shikohet nga populli se kush është dakord e kush e dredh? Pse specialistët e huaj nuk duan transmetimin e negociatave në televizion? Apo fshehin ndonjë gjë? Ndonjë Pazar? Po cili nuk e do transparencën?

Opinioni publik po bombardohet me akuza nga të dy kampet. Fillimisht del Basha duke akuzuar se Rama rrëzoi konsensusi dhe po bën komplot. Më pas del Rama dhe akuzon Bashën si antiamerikan dhe antiperëndimor që po izolon vendin. Aktualisht personat më të informuar për fatin e reformës janë negociatorët; Ylli Manjani nga LSI, Engjëll Agaçi nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD.

Ndërkohë që qytetarët, ata që mbështesin 90 për qind reformën në drejtësi, nuk dinë asgjë. Kreu i kuvendit bëri thirrje palëve që të pranojnë live në televizion të shikohen nga populli se cilët janë pro reformës. Populli nuk di se për çfarë po negociohet, kush janë kërkesat e fundit të PD? Çfarë ka propozuar Basha? Çfarë ka refuzuar Rama? Me këtë terr informativ është naivitet politik të dalësh dhe tu kërkosh qytetarëve nesër ta çojnë reformën në referendum. Apo ti ftosh në protesta para Kuvendit për të votuar reformën.

Ilir Meta bëri veprimin me të drejtë; kërkoi që negociatat të ndiqen direkt në televizion nga populli.

Por i gjithë procesi po mbahet në një rreth të ngushtë njerëzish, njëlloj si të ishte sekret shtetëror apo sekret bërthamor. Kur në fakt kemi të bëjmë me një reformë që para së gjithash po bëhet për qytetarët. Transparenca për këtë proces nuk ka të bëjë vetëm më njohjen e detajeve ligjore, por edhe me një fakt tjetër shumë të thjeshtë. Qytetarët duhet të dinë se kush realisht po e bllokon reformën në minutat e fundit. Cila është pala që në momentet e fundit zhbënë konsensusin.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta bëri një thirrje që i shërbente reformës po aq sa dhe konsensusi. Kërkoi nga palët që negociatat ti bëjnë në publik dhe të shmangin qëndrimet politike. Kësaj thirrje ju përgjigj vetëm Partia Demokratike. Ndërkohë nga Partia Socialiste nuk pati asnjë reagim.

Derisa jemi në momentet e fundit të votimit ose dështimit të reformës, është koha që të luhet me letra të hapura. Mjaft më me skenarë ant-amerikanë që deklaron Rama, apo me thirrje komplotiste që pretendon Basha. Kjo nuk është reforma e partive, por reforma e qytetarëve. Dhe qytetarë duhet të dinë se kush po i mban peng deri më sot. Duhet të dinë edhe për të vendosur më pas në zgjedhje se kujt duhet ti japi votën e ndëshkimit.

Pse specialistët e huaj që po drejtojnë reformën me konsultime OPDAT (SHBA) dhe EURALIUS (BE) nuk pranojnë live të dëgjohen nga publiku shqiptar?

Përderisa ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vllahutin kërkojnë përditë miratimin, pse nuk u thonë OPDAT dhe EURALIUS të pranojnë direkt të jenë në sytë e popullit shqiptar se si ndihmojnë, konsultojnë, sugjerojnë apo edhe nëse djallosin, por ama live?

Ka nevojë në këto orë të fundit që të shikojmë direkt në televizion secilin nga grupi i ekspertëve partiakë dhe të huaj se si veprojnë dhe më pas të gjykojmë si popull.

SHKARKO APP