Pse nuk u emëruan ambasadorë edhe kryetarët e tjerë të SHISH, si Ajazi?
Propozimi i Visho Ajazi Likës si ambasador i Shqipërisë në NATO me firmën e Edi Ramës ishte një lajm që çuditi jo pak vetë socialistët. Arsyeja është e thjeshtë, përveçse kreu i SHISH dhe Edi Rama nuk kanë pasur marrëdhënie të mira, Ajazi njihet edhe si një prej njerëzve më të afër të ish-kryeministri Sali Berisha. Është një ndër besnikët e Berishës që nga pushteti i tij i parë i viteve 1992-1997. Ndaj dhe nxitimi i Edi Ramës për të vendosur si përfaqësues të Shqipërisë në institucionet e NATO-s, një mik të armikut të tij politik, u hapi rrugën mjaft aludimeve. Socialistët janë të parët ata që nuk e kanë përtypur dot këtë emërim dhe e kanë vënë në presion Edi Ramën.
Mbrëmë, në “News 24”, Kryeministri u përpoq të jepte një shpjegim dhe përgjigje për gjithë pyetjet që i janë bërë edhe nga vetë socialistët për këtë emërim.
Ai tha se emërimi Visho Ajazit është bërë për arësye që lidhen me dinjitetin e shtetit. Rama shtoi se një ish-kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror nuk mund të lihet udhëve pasi ka kryer për kaq shumë vite një detyrë të rëndësishme. Ai tha se ky emërim ka të bëjë me respektin që shteti dhe institucionet duhet të kenë për njerëzit që i shërbejnë. Kryeministri bëri dhe një paralele me qeverisjen e Sali Berishës, duke thënë se në kohën e tij, drejtuesit e institucioneve shumë të rëndësishme liheshin në mes të katër rrugëve.
Parimisht kryeministri ka të drejtë. Shteti shqiptar gjithmonë i ka hedhur në rrugë pasi i ka përdorur sipas interesave politike të qeverive të radhës, drejtuesit e institucioneve. Rama ka të drejtë për mosvlerësimin, por emërimi i Visho Ajazit më shumë se vlerësim fsheh ndonjë hall dhe problem tjetër të Edi Ramës. Ajazi nuk është i vetmi ish-drejtor i SHISH që do të mbetej pa funksion zyrtar pas detyrës. Fatos Klosi, një nga drejtuesit e suksesshëm të SHISH është larguar nga detyra shumë vite më parë dhe Edi Rama nuk u kujtua kurrë që të mos “e linte rrugëve”. Po ashtu janë dhe një sërë drejtuesish institucionesh specifike për të cilët PS dhe Rama kanë bërë luftë të fortë për ti shkarkuar nga detyra. Po për Irakli Koçollarin e Bahri Shaqirin ( ish- drejtues të SHISH) pse nuk u kujtove për ti propozuar ambasadorë?
Atëherë përse ky ndryshim i Edi Ramës me Visho Ajazin?
Arsyet e kësaj “dashurie” të Edi Ramës me shërbimet sekrete janë të shumta. Zakonisht janë shefat e shërbimeve sekrete ata që drejtojnë lojën me informacione të rëndësishme dhe mund të shantazhojnë një Kryeministër. Por me rastin Edi Rama-Visho Ajazi ka ndodhur e kundërta. Është kryeministri ai që ka blerë heshtjen e ish-kryespiunit. Sesi është arritur kjo marrëveshje, ku Ajazi hesht dhe Edi Rama merakoset për të ardhmen dhe karrierën e tij, kjo është ende e paqartë. Fakti është se Edi Rama kur vendosi ta dërgoj në NATO si ambasador, ish-kreun e SHIK, e ka shpërblyer për heshtjen dhe mosdaljen e informacioneve. Gjatë kohësh që SHISH drejtohej nga Ajazi janë bërë raportimet kryesore për kanabisin, një pjesë e të cilave janë lexuar dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Me emërimin në NATO askush në SHISH nuk mund të hap këtë dosje, pasi dhe drejtuesi i ri është një i zgjedhur besnik i Edi Ramës.
Në fund, ajo që Edi Rama deklaronte dje se nuk do linte rrugëve një ish-drejtues dhe shërbëtor të shtetit, nuk ishte as respekt për institucionet dhe as ndjeshmëri për kontributin e SHISH. Ishte vetëm pjesa e një pazari që Edi Rama dhe Visho Ajazi kanë arritur së bashku.
E fundit, nëse Visho Ajazin nuk e lije dot “udhëve”, se zotëron sekrete të mëdha, edhe kundër qeverisë, të paktën ta çoje në zonat arabe-islamike, atje ku ai ka patur me shumë lidhje. Në NATO është racion i madh për të, apo në raport me dosjet që ka mbyllur apo dorëzuar te kryeministri, u bë edhe propozimi?!
S.P.