Pse Prokuroria nuk merr të pandehur drejtuesin e firmës të rrugës Qukës-Qafë Plloçë?

-Rruga Qukës–Qafë Plloçë shembet: Skandal inxhinierik, mungesë totale përgjegjësie dhe Prokuroria hesht-

Në foto: Masivi i gurëve që ka rënë mbi asfalt

Swiss Digital Desktop Reklama

Rruga Qukës–Qafë Plloçë – një projekt që ka konsumuar mbi një dekadë punime, dhjetra milionë euro, u shemb sot pas një shiu të zakonshëm vjeshte. Një reshje e zakonshme që mjaftoi të rrëzonte një mur formal guri që gjoja mbante kodrën me gurë, duke e kthyer segmentin e ri në një zonë katastrofe.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fati ka dashur që në atë moment të mos kalonte makinë sepse do të ishin të groposur të gjallë në pak sekonda.

Pamjet nga terreni flasin vetë:

Ky nuk është aksident natyror. Është dështim i pastër teknik, faj ndërtimi, faj projektimi, faj mbikëqyrjeje. Dhe përgjegjësit kanë emër, është kompania e ndërtimit dhe ajo e mbikëqyrjes.

ARRSH fshin duart, kompanitë heshtin — por kush i ka firmosur punimet?

ARRSH në stilin e zakonshëm të lavazhit institucional, ia faturoi gjithçka “reshjeve të dendura”. Pra, sipas tyre, një rrugë malore e paguar me standardet e një autostrade alpine shembet me një shi të zakonshëm. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë po pranojnë publikisht se kompania e ndërtimit ka bërë punime të papërshtatshme dhe të rrezikshme.

Dhe këtu lind pyetja më kritike: Pse kompania ndërtuese nuk del publikisht të sqarojë, por fshihet? Pse nuk sqaron projektin? Pse nuk merr përgjegjësi? Pse prokuroria nuk e ka marrë si të pandehur?

Sepse në Shqipëri, ndërtuesit e rrugëve trajtohen si “të paprekshëm”: fitojnë tendera marramendës, dorëzojnë punë të pakryera ose të dobëta, marrin kolaudimin me letra – dhe kur rruga shembet, ia hedhin fajin motit.

Pse Prokuroria nuk ngre akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të cilësisë së punimeve”?

Kjo është pyetja që duhet të ngrejë sot çdo qytetar, çdo gazetar dhe çdo deputet? Ku është Prokuroria? Pse nuk hap hetim? Pse nuk merr të pandehur kompaninë e ndërtimit dhe mbikëqyrjen?

Shembja e rrugës së sapo-inaguruar është provë materiale vetëfolëse. Për një prokuror normal ky është dështim teknik, dëm ekonomik kolosal, rrezikim i jetës së qytetarëve, shkelje e kritereve të sigurisë, dyshim për vjedhje të fondeve publike, dyshim për kolaudim fiktiv, dyshim për supervizim të blerë.

Me këto elemente, në çdo vend normal do të hapej çështje penale, do të sekuestrohej dokumentacioni i punimeve dhe do të thirreshin në hetim kompania ndërtuese, drejtori i punimeve, supervizori teknik, zyrtarët e ARRSH që kanë firmosur kolaudimin, strukturat që kanë dhënë lejen e shfrytëzimit.

Por deri tani asgjë. Heshtje totale.

Pse?

Sepse shembja e një rruge tre muaj pas inaugurimit është vendi ku kryqëzohen politika, bizneset klienteliste, tenderat e dyshimtë, marrëveshjet nën dorë, kolaudimet fiktive dhe mungesa e plotë e llogaridhënies.

Kjo është arsyeja e vërtetë pse Prokuroria nuk lëviz. Sepse nëse nis hetimin, nuk ndëshkon vetëm një kompani, por zbërthen një zinxhir të tërë interesash./Daniel Muçaku/

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?