Pse u mundua komisionieri Hahn? Për të thënë se bëni një “BE ballkanike”?!

U bë shumë zhurmë për një takim në Durrës, këtë të shtunë, ku ishin kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perendimor dhe ku mbërriti gjithë salltanete edhe komisioneri Hahn. U fol se do të ishte një takim me përfitime dhe projekte për në BE, por zhurmës shqiptare qeveritare, komisionieri europian iu përgjigj me një status në facebook. Pak minuta përpara fillimit të takimit me kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, eurokomisioneri Johanes Hahn ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social dy mesazhe të rëndësishme.

Hahn shkruan në Twitter se objektivi i shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jetë integrimi në Bashkimin Europian, por krijimi i një zone të përbashkët mes shteteve të Ballkanit.

Hahn në mesazhin e tij shprehet se integrimi nuk është një alternativë për hyrjen në BE, por thjesht një element i dobishëm, ndërsa ndërtimi i një zone ekonomike të përbashkët mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të rriste automatikisht ekonomitë e vendeve si dhe do të ulte papunësinë, prioritete këto, që sipas eurokomisionerit janë kyçe dhe qëllimi i tryezës në Durrës. Pra takimi me pompozitet i reklamuar në Durrës ishte një takim për një drekë dhe disa foto. Nuk ka asnjë gjë të re në drejtim të BE, të Shqipërisë, apo edhe vendeve të tjera ballkanike. Thjesht komisioneri, pra BE, na thotë se krijoni një “BE ballkanike” për shumë vite dhe më vonë të shikojmë si jeni me reformat!

A jemi shumë prapa si shtete të Ballkanit nga reformat dhe ekonomia që duhen si kritere për në BE apo është një tallje e radhës e Brukselit, ku BE ka probleme ekzistenciale për vete dhe nuk e ka mendjen te shtetet tona? Ky takim vjen pas Samitit të Triestes këtë vit, ku Shqipëria nuk mori asnjnë projekt financimi në vazhdën e Procesit të Berlinit.

Lexoni mesazhin e komisionerit europian, i cili kastile e ka futur online pak para fillimit të takimit të kryeministrave të Rajonit. Pra ky mesazh ishte paravendosur nga BE, ndaj duket si takim fundgushti në Shqipëri për kryeministrat për të pirë verë të kuqe dhe shijuar ushqimin e detit shqiptar. Dhe ku kryeministri shqiptar Rama shquhet për batuta e krijimin e një situate të këndshme në dreka apo darka në raport me kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perendimor.

Edi Rama luajti mendsh një popull me kërkesën për timonin e tepsinë që donte krejt për vete dhe e mori, e jo më të mos turbulloj kryeministrat e tjerë që vijnë për një drekë në Durrës.

Lexoni mesazhin e komisionerit europian para se të fillojë takimi kryeministror dhe kuptohet se pse janë mbledhur, kur përgjigja e BE mbetet se krijoni njëherë “BE Ballkanike” dhe shohim me vonë për në Bruksel! 

Mesazhi i komisionierit euopian, Hahn:

Integrimi nuk është një alternativë për hyrjen në BE të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, por një element komplementar i dobishëm.

Prioriteti kyç tani është ndërtimi i një zone ekonomike të përbashkët, për të fuqizuar rritjen (ekonomike) dhe punësimin e qytetarëve.

Johannes Hahn.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për fonde për infrastrukturën, për të qenë sa më shpejt në familjen europiane si të barabartë dhe jo për patur një “BE ballkanike”, zoti Hahn. Natyrisht që edhe kjo duhet, por pikësëpari duam BE.

Nuk kemi nevojë të na kujtoni Vettingun, pasi ai është proces që nuk guxon njeri ta ndalë, por duam euro për ngritjen e mirëqënies tonë, natyrisht duke punuar, por nuk ka punë, zoti Hahn. Duam të miratoni, edhe Shqipërisë siç po bëni me Serbinë dhe Malin e Zi, projekte që të vihen në zbatim për rregullimin e ekonomisë shqiptare. Ndaj nëse ka probleme qeverisja dhe politika shqiptare, mos hezitoni dhe thuajeni popullit shqiptar hapur dhe mos drekoni me kryeministrat, po që se këta nuk sjellin projekte apo nuk garantojnë BE se jemi në rrugë të mbarë.

Për të shkuar apo bërë tregti apo edhe për të vizituar Prishtinën, Shkupin, Podgoricën e Beogradin e bëjmë vetë, pa na e thënë njeri. Shqiptarët duan të jenë barabartë me çdo shtetas të BE. Duam që të shkojmë pa frikë në BE se mos kemi kaluar 60 ditë me shumë dhe se vjen polici europian e na kthen zvarrë në Shqipëri. Duam të jemi njerëz me të drejta të plota si gjermanët, francezët, italianët, etj.

Ndaj endërrojmë Bashkimin Europian, zoti Hahn dhe nuk po vdesim për “BE Ballkanike”!

Edhe një gjë tjetër: BE don një “BE Ballkanike”, por Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur Kosovën, bile Beogradi tërhoqi ambasadën e tij në Shkup vetëm se kryeministri maqedonas Zaev thuhet se do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNECSO. Si mund të jemi të garantuar dhe të zhvilluar në një “BE Ballkanike”, kur  Serbia vendos? Si mundet që ky vendim të merret nga një kryeministër shqiptar, kur ky mbetet një vendim më i madh se sa mandati i një kryeministri? Kjo kërkon pa asnjë diskutim miratimin nga 2/3 ose më mirë  nga 140 deputetët e parlamentit.

Dhe krejt e fundit: Mos është kjo një lojë e BE, e cila nuk ka as solidaritet dhe as takat e dëshirë për shtetet e Ballkanit Perendimor dhe na devijojnë drejt “BE Ballkanike”?

Alban Mati

 

 

SHKARKO APP