Pushtimi i Ukrainës në Rusi? “American Enterprise”: Janë ditë shumë të rrezikshme, reagimi rus do jetë frikësues!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se trupat e tij hynë ditët e fundit në rajonin e Kurskut në perëndim të Rusisë. Arsyetimi i tij?

“Është e drejtë të shkatërrohen terroristët rusë aty ku janë, nga i nisin sulmet e tyre; aeroportet ushtarake ruse, logjistika ruse. Kjo mund të jetë e dobishme për afrimin e paqes. Rusia duhet të detyrohet të negociojë për paqe, nëse Putini do të vazhdojë të luftojë kaq ashpër”, tha ai.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u shpreh i rezervuar të hënën kur u pyet nëse Uashingtoni ishte i shqetësuar se Ukraina mund të përdorte armë të dërguara nga SHBA kundër Rusisë.

“Ne po vazhdojmë të flasim me homologët ukrainas për këto operacione. Do t’ia lë atyre të komentojnë për operacionet e tyre”, tha ai.

Analistët thonë se lëvizja e Ukrainës ishte e befasishme dhe se ka të ngjarë të jetë një taktikë për të sfiduar Moskën shkruan VOA.

“Mendoj se ukrainasit donin ta zhvendosnin luftën në Rusi, për t’i dërguar popullit rus mesazhin se nuk është imun nga kjo luftë dhe do t’i ndjejë pasojat”, thotë Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Por të tjerë thonë se Presidenti Putin mund të përdorë lëvizjen e Ukrainës si një justifikim për të sulmuar ndonjë vend të NATO-s, në kufi me Rusinë.

“Ai (Presidenti Putin) tani ka prova se ukrainasit që janë të armatosur dhe – siç pretendon ai të trajnuar dhe të nxitur – nga Perëndimi, tani po sulmojnë vetë Rusinë. Kështu do t’ua shpjegojë rusëve, duke thënë se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar. Mendoj se janë ditë mjaft të rrezikshme”, thotë Leon Aron i Institutit “American Enterprise”.

SHKARKO APP