Qen antieksplozivë, forca speciale në gjyqin e “Xhihadistëve” dhe Shullazit

Sot gjykata e krimeve të rënda është nën shtetrrethim, pasi  gjykohet grupi “xhihadist”, por në mesditë shkon në gjykata edhe Emiliano Shullazi bashkë me dy të tjerë për të vendosur në lidhje me kerkesën e prokurorisë për arrest me burg pa afat për akuzat të cilat tashmë janë bërë publike.

E gjithë zona përreth kësaj gjykate është nën shtetrrethim policor, duke kontrolluar me qen antieksploziv çdo person e mjet, pasi rreziku sot është tepër i lartë në gjykatë.

Ambasada amerikane para disa ditësh paralajmëroi qytetarët e saj në Shqipëri që të kenë kujdes në këtë zonë sot, pasi mund të ketë edhe tubime terroriste të ndikuar nga gjyqi xhihadist. Duke i shtuar edhe rastin Shullazi që do të gjykohet sot në mesditë kjo zonë përreth gjykatës së krimeve të rënda është një zonë e supër ruajtur dhe e kontrolluar.

Forca të shumta policie dhe qen antieksplozivë janë vendosur që mbrëmë vonë në mesnatë , ndërsa gjatë ditës së sotme janë shtuar forca të mëdha policie.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre shtetasve të ndaluar më datë 17.04.2016, në orën 01:30, Emiljano Shullazi, 38 vjeç, Gilmando Dani, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe Blerim Shullazi, 32 vjeç, banues në Krujë.

Sipas Prokurorisë, akuzat ndaj Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit, janë: “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë prokuroria ka kërkuar 152 vite burg për 9 të akuzuarit për rekrutimin e luftëtarëve në Siri. Pak ditë më parë, ambasada amerikane i kërkoi shtetasve të saj të kenë kujdes dhe të shmangin lëvizjes pranë Gjykatës për shkak të këtij vendimi.

Shoqerimi i Shullazit nga reparti “Shqiponjat”

Shoqërimi i Emiljano Shullazit ditën e shtunë iu besua forcave të Njësisë “Shqiponja”, të mbështetura edhe nga shërbimet operacionale dhe ato të Komisariatit nr.2.

Por duket se edhe për vetë Policinë ka qenë befasi prezenca e Shullazit në shtëpinë e tij që ndodhet tek ish- Parku i Autobusëve, pasi nuk pritej që të ndodhej aty.Sipas informacioneve te siguruara nga Policia flitej se ai ndodhej në Krujë, ku edhe po qëndron më shumë kohët e fundit. Për këtë arsye, grupit që mori pjesë në këtë aksion iu kërkua që të shoqëronin të gjithë personat e afërt të tij që pritej të ndodheshin në zonën e njohur tashmë për Policinë.

Burimet thanë se në momentin që janë gjendur në tunelin e një prej pallateve në krah të vilës së Shullazit, tek ish-Parku janë përballur me të paktën 20 persona që qëndronin para portës dhe janë bërë gati për t’i shoqëruar të gjithë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Por në kohën që forcat e Policisë po nisnin të bënin shoqërimet, në krye të shkallëve është shfaqur vetë 38-vjeçari, i cili ka bërtitur që t’i linin të qetë njerëzit e tij. “Po ju prisja. Nuk keni punë me djemtë. Do të vij unë me ju, ja ku më keni!”, u është drejtuar Shullazi punonjësve të Policisë dhe ka zbritur poshtë.

Ai e ka hapur vetë derën e makinës së Policisë, pa pyetur për arsyen e shoqërimit, apo pse Policia kishte shkuar aty. Ndërsa asnjë nga personat që ishin të pranishëm aty nuk është shoqëruar nga Policia. Po ashtu, nuk është bërë as kontroll banese në atë moment, pasi forcat e Policisë janë kthyer aty pak më vonë dhe nuk kanë gjetur asgjë.

Ndërsa dy personat e tjerë, Gilmando Dani dhe kushëriri i Shullazit, Blerim Shullazi, janë shoqëruar në momentin që kanë shkuar në Drejtorinë e Policisë që të interesoheshin për 38- vjeçarin.

Nga ai moment, ata nuk janë lejuar që të dalin më nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Ndërsa pas orës 01:00 të natës iu është komunikuar arresti të treve, në ekzekutim të urdhrit të Prokurorisë.

 

SHKARKO APP