Qëndrimi i Gjermanisë: Zgjidhja më e mirë, negociata të kushtëzuara për Shqipërinë

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe deputeti gjerman, David McAllister ka deklaruar sot se zgjidhja e mirë për negociatat për Shqipërinë është hapje e tyre me kushte. Duke kritikuar qëndrimin e Francës për bllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, McAllister shprehet se nuk duhet reformuar procesi, por duhen dhënë sinjale pro rajonit.

“…Nuk jam i sigurt nëse procedura e ndarjes do të ndihmojë. Sipas mendimit tim, zgjidhja më e mirë do të ishte një rrugë e ngjashme me rezolutën e miratuar nga Bundestagu gjerman – drita jeshile për Maqedoninë Veriore dhe dritë jeshile e kushtëzuar për Shqipërinë. Vlen të përmendet se politika e zgjerimit ngjall shumë dyshime në Gjermani, dhe Bundestag gjerman ka vendosur të ndjekë këtë rrugë”, -shtoi McAllister.

Eurodeputeti David Mcallister nuk i ka përmbajtur kritikat ndaj Presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit holandez Mark Rutte Rutte referuar refuzimit të tyre në Samitin e KE-së për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Jam shumë kritik ndaj efektit përfundimtar të bisedimeve në samitin e Këshillit Europian dhe mendoj se ky është një gabim historik. Ky nuk është vetëm një sinjal elokuent për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, por edhe për minimin e besueshmërisë së Bashkimit Europian. Sa kushtojnë premtimet tona nëse veprojmë në këtë mënyrë. Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë një rrugë të gjatë, madje i është dashur të ndryshojë emrin e vendit të saj. Për të qenë i sinqertë, nuk e kuptoj vendimin e Këshillit. Grupi politik, të cilit unë i përkas në PE, ka siguruar që të gjithë krerët e qeverive të Partisë Popullore Europiane (PPE) në Këshill të qëndrojnë në anën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne jemi shumë të zhgënjyer që disa qeveri ishin në gjendje të ndikojnë në vendimin përfundimtar të Këshillit për këtë çështje”, tha ndër të tjera, David McAllister.

SHKARKO APP