Qëndrimi i opozitës: Nuk do të lejojmë zgjedhje farsë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka propozuar Kryesisë së PD-së tre propozimet përsa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore. Basha thekson se regjistrimi në zgjedhjet vendore të bëhet vetëm pasi të krijohen kushtet për zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Propozimet e Bashës janë miratuar sot nga Kryesia dhe kjo e fundit ka vendosur t’ja kalojë për miratim Këshillit Kombëtar të PD, si institucioni më i lartë vendimmarrës.

Në qëndrimet e Kryesisë theksohet se opozita nuk do të lejojë zgjedhje farsë dhe do të përdor çdo mjet që të mos ndodhë një proces i tillë.

Ndërkohë, Kryesia thekson në kërkesën e saj edhe kushtin për qeveri tranzitore, çfarë nënkupton edhe largimin e Edi Ramës.

Projekti për mos lejimin e zhvillimit të zgjedhjeve farsë pa opozitën, u mbështet dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka vendosur që të mandatojë kryetaren Monika Kryemadhi dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm, Endrit Braimllari, për të diskutuar me Partinë Demokratike rrugët për të mos lejuar që në këtë vend të mos ketë më zgjedhje farsë.

Nga foltorja e selisë së LSI-së, zëvendëskryetari LSI-së Luan Rama deklaroi se Shqipëria për fat të keq është në fokusin e ndërkombëtarëve për ngjarjet kriminale që kanë kapur shtetin. Duke folur për krizën politike, Luan Rama deklaroi se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme. “Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme”,- deklaroi Luan Rama.

KRYESIA E PARTISË DEMOKRATIKE VENDOSI T’I PROPOZOJË KËSHILLIT KOMBËTAR:

1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

https://www.facebook.com/kohajone/videos/345673802740378/

Deklarata për media e Zëvendëskryetarit të LSI-së, Luan Rama, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë dhe ish-Grupit Parlamentar të LSI-së:

Mirëdita të gjithëve. Më lejoni t’ju informoj që Kryesia e LSI-së, e mbledhur sot në një mbledhje të posaçme për të analizuar situatën politike në vend dhe zhvillimet e pritshme, përkundrejt farsës dhe butaforisë së shëmtuar që ofron Kuvendi i votave të vjedhura nga bandat kriminale konkludon që situata politike dhe kriza politike në vend vazhdon të jetë gjithnjë e më rëndë, pasi vendi gjendet përballë një krize tërësore politike, kushtetuese, përballë një krize parlamentare, institucionale dhe mbi të gjitha përballë një krize besimi të qytetarëve ndaj qeverisjes dhe institucioneve të vendit.

Shqipëria është një shtet i kapur, një shtet i kapur nga strukturat kriminale që kanë imponuar vullnetin e tyre në zgjedhjet që kanë prodhuar maxhorancën që është në shërbim të krimit dhe mbi bazën e këtij realiteti, aksioni politik i LSI-së i inkuadruar në tërësinë e veprimit politik, qytetar të opozitës do të vazhdojë me vendosmëri për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje farsë, për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje që komandohen dhe blihen nga grupet kriminale, për të zgjedhur pushtetin dhe qeverinë që u shërben atyre.
Në këtë kontekst, Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përpjekja e dëshpëruar dhe e dështuar e qeverisë për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e mëdha që ka vendi, nga kriza e përgjithshme politike, kushtetuese, institucionale, parlamentare dhe e besimit. Natyrisht është vetëm një shenjë më shumë e krizës në të cilën gjendet vetë qeverisja e vendit, është një shenjë më shumë e dëshpërimit të saj, që vjen sa nga rezistenca, revolta dhe protesta qytetare aq edhe nga moria e një pas njëshme e skandaleve, të cilat me këtë qeveri janë të lidhur pazgjidhshmërisht. Dhe këtu kam parasysh jo thjesht dhe vetëm një mori skandalesh të ditëve të fundit, por edhe qëndrimin e vendeve partnere, qëndrimin e organizmave ndërkombëtarë, pasi Shqipëria për fat të keq është në qendër të fokusit të kontestit dhe të vëmendjes së tyre.
Dëgjova pak më parë kryetarin e qeverisë të flasë në Kuvend për të ashtu quajturën kënaqësi të opozitës në lidhje me votimin më të fundit të Parlamentit të Hollandës, i cili ka kërkuar rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Më parë se të akuzojë opozitën, dhe më parë sesa të nxjerrë zëdhënësit e vet mjeranë për të justifikuar, ky moment ka nevojë për reflektim. Ka nevojë për reflektim dhe për të parë realisht situatën e kriminalitetit, situatën e trafiqeve, situatën e korrupsionit. Sepse në tërë palcën e sistemit politik shqiptar aktual nuk ka gjë tjetër për veç se krim, korrupsion dhe shpërdorim. Prandaj problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha që pasi të kemi çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes qeverisë transitore, t’i çelim rrugën reformimit tërësor te sistemin politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur , i kriminalizuar.
Për fat të keq Shqipëria është rikthyer në kushtet e realitetit politik të viteve 90-91, kur Kuvendit apo Parlamentit të atëhershëm të Partisë së Punës, i mbeti vetëm një detyrë. Të çonte vendin në zgjedhje për të garantuar pluralizmin politik dhe demokracinë pluraliste në Shqipëri. Ndaj dhe sot kjo mazhorancë ka vetëm një detyrë. Të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për të garantuar proces zgjedhor, të lirë të ndershëm, të barabartë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, jo vetëm të votojnë, por mbi të gjitha të kenë të drejtën të zgjedhin. Të zgjedhin në liri të plotë dhe jo siç kanë zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2017, kur vota e tyre u ble, u kriminalizua për të prodhuar këtë qeverisje, këtë mazhorancë që është bërë një me krimin dhe që ka krijuar jo vetëm kosto të mëdha për imazhin e Shqipërisë, por mbi të gjitha ka vënë në risk, interesat kombëtare të Integrimit Europian të Shqipërisë.

SHKARKO APP