Rama: “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara!”. Kundërpërgjigjet Berisha….
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një qëndrimi të komisioneres së Zgjerimit në BE, Marta Kos në lidhje me deklaratat e kreut të PD, Sali Berisha kundrejt ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Rama u shpreh se “kërkon ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët”.
Sakaq, kreu i qeverisë thumboi edhe kryedemokratin Berisha, duke shkruar më tej “megjithatë, siç themi në shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara”.

Menjëherë ka reaguar Berisha. Ai theksoi në parlament se nuk ka përdorur asnjë shprehje fyese ndaj ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato, por vetëm ka kërkuar sqarime ligjore nga përfaqësuesi i BE-së në Tiranë, lidhur me bazën ligjore europiane që mbështet terminologjinë e “përkatësisë së shumëfishtë gjinore”.
Kryedemokrati Berisha përsëriti qëndrimin e tij kundër çdo forme diskriminimi, por u shpreh se është kategorikisht kundër çdo nisme që, sipas tij, ‘tenton të ndryshojë binaritetin gjinor dhe themelet kushtetuese të rendit juridik shqiptar.’
Fjala e kreut të PD, Sali Berisha në parlament:
T’i përgjigjesh një shpifësi të denatyruar moralisht dhe në integritetin e tij njerëzor, nuk ia vlen të humbasësh kohë.
Por ajo që dua të them edhe njëherë, nuk kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia këtu, siç do t’i shpreh haptas në çdo rast.
Kam kërkuar nga ky parlament, dhe jashtë këtij parlamenti, nga ambasadori Gonzato, të na tregojë se cilën direktivë, se ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Plotësisht dakord.
Por përsëri, cila direktivë e BE- BE funksionon me direktiva- cila direktivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore.
Ta shoh, ta di, sepse ekspertë të shquar që unë njoh, më kanë konfirmuar se asnjëra nga direktivat e BE nuk kanë këtë terminologji, por janë që të gjitha në binaritet,flasin për burrin dhe gruan.
Kjo është e tëra.
Çdo lloj interpretimi sui generis është problemi i atij që e bën.
Por unë përsëri dhe përsëri deklaroj këtu se jam kundër çdo forme diskriminimi dhe pabarazie, por jam në mënyrë kategorike kundër çdo përpjekje për të riformatuar antropologjinë njerëzore, binaritetin e gjinisë, Kushtetutën e Shqipërisë, kodet e vendit, të cilat sanksionojnë këtë binaritet si themel juridik të rendit kushtetues të Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

