Qeveria e Kosovës: Serbia të njohë Kosovën-shtet para bisedimeve. Serbi Vuçiç: Do reagojmë ashpër
Nga radio shtetrore gjermane DW/
Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, pas takimit që zhvilloi me Presidentin e Serbisë u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha sot në Beograd se Platforma e dialogut me Beogradin, të cilën e miratoi Kuvendi i Kosovës “në thelb paraqet vendimin e Prishtinës për t’i dhënë fund dialogut me Beogradin”. Këtë deklaratë Presidenti i Serbisë Vuçiç e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me nënsekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Politike, David Hale, i cili po qëndron në Beograd, ku me pas do të vizitojë edhe Prishtinën. Presidenti i Serbisë tha se “qëndrimi i Beogradit karshi situatës së re të krijuar do të jetë i vendosur, serioz dhe i përgjegjshëm”.
“Në një afat relativisht të shkurtër kohor do të marrë masa, me të cilat do të reagojë ndaj mospërmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e Brukselit, vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe ndërprerjes së dialogut me Serbinë nga ana e Prishtinës”, shprehet Aleksandër Vuçiç sipas një komunikate të Presidencës së Serbisë. Vuçiçi thuhet më tej se”e ka paralajmëruar prej kohësh Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe ekipin e saj se miratimi i platformës së Prishtinës nuk lë vend për kompromis dhe si e tillë ajo është kundër dialogut”.
Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten platformën e dialogut, ku Prishtina zyrtare e ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, “dëshiron zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bierë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”.
“Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme Kosovë-Serbi, duhet tё jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”, thuhet në platformën e Prishtinës.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian nga ana e tyre nuk e kanë komentuar Platformën e Prishtinës, por kanë thënë se palët duhet të dialogojnë dhe të arrijnë marrëveshje që është në interes edhe të rajonit.
“BE nuk i komenton qëndrimet e disa palëve në dialogun ndërmjet Serbisë e Kosovës. BE kërkon që Kosova ta ndërpresë taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe të vazhdohet me dialog, në mënyrë që të arrihet deri te marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme ndërmjet të dy vendeve”, ka deklaruar Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Presioni ndaj Prishtinës zyrtare që ta pezullojë taksën ndaj mallrave serbe dhe të kthehet në dialog me Serbinë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me Serbinë, po vazhdon edhe nga SHBA. Numri tre i administratës amerikane, nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, gjatë vizitës në Beograd “u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për heqjen e taksës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme”, citohet të ketë thënë David Hale, deklaratë e publikuar në Twitter nga ana e Ambasadës së SHBA-së në Beograd. Nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, pas Beogradit viziton Prishtinën dhe sipas ambasadorit amerikan në Beograd, “nënsekretari David Hale viziton Beogradin dhe Prishtinën për të inkurajuar palët që të kthehen në dialog nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”./DW/
Një ditë para vizitës së diplomatit amerikan, David Hale në Kosovë, kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj ka thënë se nuk pranon që Serbia ta zaptojë tregun e Kosovës, e të mos e njoh pavarësinë e shtetit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot për një vizitë në qytetin e Suharekës, prej ku ka folur për aktualitetin politik dhe çështjet më të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se Kosova nuk do të jep asgjë në këmbim të njohjes së pavarësisë nga Beogradi.
Haradinaj ka treguar se si ndërkombëtarët i kanë thënë se çfarë do të jep Kosova në këmbim të njohjes nga Serbia, dhe për të një gjë e tillë është shumë e rëndë, pasi Kosova nuk ka se çfarë të jep më.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kreu i ekzekutivit thotë se nuk mund të vijë duke i hapur kufijtë, e duke bërë eksperimente me ta.
“Njohja nuk mundet me ardhë, t’u na marrë diçka. Kur po flasin miqtë tanë, se çka jepni ju për njohje, a besoni si me të ra diçka e madhe në kryer. Çka mundemi na me dhanë mo, për të drejtën tonë, për me jetu në tokën tonë. Ne kemi dhënë shumëçka, prandaj kemi mbet vend i vogël. Nuk mundemi na me dhanë. Na mundemi me u pajtu me ecë përpara, por jo me harru. Njohja duhet me ardhë si kërkim falje, por jo tu dhanë tokë, e tu bo eksperimente me veten, tu i hap kufijtë. Çka bojmë pa kaq Kosovë, ku i rrisim fëmijët, që nesër mundemi me u rritë edhe më shumë”, ka thënë Haradinaj raporton Gazeta Express.