Qeveria e vazhdimësisë dhe e tepsisë

Nga Spiten Prulli.

Qeveria “Rama 2” u shpall. Pas një fjalimi të stërzgjatur, me një strategji përfekte enveriane, por e përzier me kohë digjitale dhe kakafoni edviniane, Edi Rama dha emrat me të cilët do qeverisi katër vite. Përjashtuar Gramoz Ruçin si kryetar Kuvendi dhe dy femrave ministre dhe dy burrave, po ministra, qeveria e re mbetet një alarm i madh për shqiptarët, sepse mbetet po ajo që ishte katër vitet e shkuara, pa asnjë ndryshim drastik siç priste publiku dhe vetë socialistët e thjeshtë. E thënë me troç Edi Rama e mveshi Rilindjen e tij me brekët rozë të kohëve të vjetra të Pandeli Majkos. Lëvizja e Edi Ramës për të krijuar përshtypjen në bazën e PS-së se janë socialistët e traditës që qeverisin Shqipërinë, mori dhe krijoi një ministri Diaspore, e cila nuk ka asgjë në dorë dhe nuk ka se ç’bën kur prapë PS-ja do krijojë njëmijë yçkla që të mos votojnë emigrantët atje ku jetojnë, jashtë vendit. Pra thirrja në skenë e Pandeli Majkos, ish-kryeministrit të kohëve të luftrave në Ballkan, duket se stonon dhe merr qasje humori, pasi tashmë serbët i kemi miq prej miqësisë Vuçiç-Rama.

Por mjeshtërisht kryeministri Rama e mori dhe e ngjiti si etiketë në mëngën e tij të punës, duke thënë, edhe pa folur, se PS-ja e vjetër, drejton dhe qeveris. Nga ana tjetër Rilindja bën kërdinë.

Edi Rama foli në asamblenë e PS-së me një stil enverian modern, pra e mori Enverin dhe e solli në vitin 2017, mu në asamblenë socialiste. Fliste si një orator i madh, aktoronte, ngrinte zërin kur duhej dhe përulej kur duhej; tamam si në një regji hollivudiane. E bukura mbetet se ai vetë bën skenarin, regjinë, aktorin, humoristin, inatçiun, të përvuajturin e madh për njërëzit e thjeshtë. Dhe kush nuk e njeh nga afër, e ha bukur! E beson dhe mbetet me gojë hapur se sa mirë kryeministri Rama ua di hallet, e di se nuk kanë punë, se vuajnë në radhë për ca dokumenta, se nuk kanë lekë për dritat, se i kanë poshtëruar zyrtarët,etj. Kaq bukur e luajti pjesën e teatrit modern në Asamblenë e PS, sa e bësoi edhe vetë Gramoz Ruçi, i cili e njeh mirë PS-në siç njeh Edi Rama, tepsinë e pushtetit. Por këto katër vite që shkuan a ishte Edi Rama kryeministër?!

Realisht aktor i paparë!

Qeveria e re, me kusi të vjetër, pritet të betohet të Presidenti Meta dhe më pas të vazhdojë të hajë Shqipërinë me kokë mbi tepsinë e madhe, ku kryeqeveritari zgjodhi shumicën e atyre që nuk duhej të zgjidhte. Natyrisht për të qenë korrekt me ndergjegjen dhe publikun, si dhe me vetë socialistët Edi Rama bëri dy zgjidhje korrekte; Ruçin dhe Xhafën. Edhe dy ministra të tjerë korrekt e profesionist, por që nuk po ua themi emrin që të mos ndryshojë mendje kryeministri dhe të mos i dërgojë të Presidenti për dekretim.

Me pak fjalë qeveria e re është krejt e vjetër! Por dhe diçka; si ka mundësi që shkriu ministrinë e Integrimit dhe nuk tha asnjë fjalë për integrimin? Si e shkriu ministrinë e punës, ndërkohë që njërëzit duan punë dhe ishte si vend “meke”, ku të papunët trokisnin?

Apo kryeministri e ka informacionin se integrimi i vendit do të vonojë edhe, të paktën, dy mandate qeveritare? Apo se tashmë integrim quhet puthadorësia me presidentin dhe kryeministren serbe, e cila iu fërgellua Edi Ramës, sa ra në sy edhe të mosdyshuesit Damian Gjiknuri!

Edhe një pyetje tjetër për qeverinë e re. Si nuk propozoi Saimir Tahirin, pasi kur e shkarkoi mbushi dynjanë me fjalë se “e hoqa se ma kërkoi Ilir Meta”? Pra tani që nuk e pengon njeri pse nuk e riktheu në qeveri siç bëri me disa ish-ministra? Prapë e pengoi Ilir Meta apo dikush tjetër, përtej Atlantikut? Edi Rama ia kishte borxh edhe këtë shpjegim publikut, pasi dikur krenohej me ministrin Tahiri si “kampioni i qeverisë”.

Si rregull urohet çdokush që merr një detyrë, ndaj edhe po urojmë, gjithsejcilin në atë qeveri, por nuk duhet që të rrekemi të besojmë se ka qeveri të re. Është thjesht e vjetra, e tepsisë, e cila rropi mirë dhe tani mbeti për ta pjekur edhe kockën e fundit të shqiptarëve në tepsinë e pushtetit.

Urojmë që PD dhe LSI të mos turren ndaj njera tjetrës se kush është i pari i opozitës, por të krijojnë Frontin e madh opozitar për t’i qëndruar përballë pushtetit të ri me fytyra të vjetra.

Si mundet që prapë disa ministra të urryer dhe hajdutë mbahen në kabinet? Apo i ka mbajtur që t’ia jap SPAK-ut si koka turku kur të ngrihet hanxhari mbi qeverinë dhe në PS?!

SHKARKO APP