Qeveria paralajmërim Presidentit: Nishani mund të shkarkohet
Mazhoranca është hedhur në sulm ndaj Presidentit Bujar Nishani për vonesat e dekretimit të dy ministrave. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj tha se nuk përjashtohet as shkarkimi i kryeut të shtetit nëse nuk respekton, sipas saj, Kushtetutën. “Më duket si loja e një fëmije në fakt, që përpara se t’i thonë apo t’i lexojnë instruksionin e një lodre, vendos ta provojë njëherë çfarë mund të ndodhë nëse e bën kështu. Asgjë nuk do ndodhi. Kandidaturat do marrin pëlqimin në Kuvendin e Shqipërisë, sipas propozimit që ka bërë Kryeministri”.
Kështu e ka komentuar veprimin e Presidentit të Republikës, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj.
Në një intervistë për Top Channel, ministria Felaj i ka kujtuar Presidentit se Kushtetuta qartëson se roli i Presidentit është thjesht honorifik në dekretimin e ministrave
“Kushtetuta urdhëron Presidentin që të veprojë në momentin që ka një propozim nga Kryeministri dhe këtë duhet të bëjë Presidenti. Kompetenca e Presidentit për të emëruar apo shkarkuar ministra, është thjeshtë një kompetencë e aspektit honorifik ose simbolik. Nuk është Presidenti i Republikës ai që ka tagrin për t’i hyrë vlerësimit të kandidaturës së një ministri që propozohet nga Kryeministri”, shton Felaj.
Më në fund ministrja, ndryshe nga Kryeministri Rama, i cili nuk preferon të flasë me “nëse”, ka qenë shumë e qartë në pasojat e veprimeve të Presidentit të Republikës.
“Nëse ka vendosur, në fakt siç e ka shprehur në disa sjellje për fat të keq, që të sillet në institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë si militanti më i rëndomtë nga partia e cila vjen, atëherë natyrisht që do të marrë atë përgjigjie që merr kushdo që guxon të sfidojë, jo Kushtetutën, por guxon të sfidojë Sovranin. Natyrisht nuk ngurroj fare ta them që kjo të çon në shkarkim nga detyra”, deklaron Felaj.