Kryeministri çon vendin drejt përplasjes. PS:30 qershorin nuk e luan topi!

Ndërkohë që pritet ku mazhoranca të reflektojë për situatën në të cilën e ka futur vendin, nga radhët e drejtuesve të Partisë Socialiste vijnë mesazhe force që tregojnë për tensionim të mëtejshëm të situatës. Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot në Kuvend se mazhoranca do të shkojë në zgjedhje më 30 qershor pa opozitën dhe kjo datë nuk ndryshon.

Kreu i deputetëve të PS-së shkoi edhe më tej në reagimin e tij teksa deklaroi se “30 qershorin nuk e luan as topi”. Balla e cilësoi opozitën, që proteston prej muajsh për qeveri tranzitore dhe për zgjedhje normale, si një grup huliganësh që do të përballen me ligjin. “Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe ‘nuk e luan as topi’. Dhuna në protestat e opozitës urdhërohet politikisht dhe kriminalisht nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha”,- deklaroi përfaqësuesi i Partisë Socialiste.

Sipas Ballës, ky është një fakt i panegociueshëm me askënd se Kushtetuta nuk është llastik.

“Zgjedhjet do të bëhen në qershor dhe këtë nuk e luan as topi. Ne nuk do t’i japim kurrë mundësi Bashës dhe bandës së tij, që të marrin peng vendin dhe të përdhosin Kushtetutën e Shqipërisë. Beteja jonë është për të ardhmen e Shqipërisë.

Më 29 maj, në orën 12:30 gjithë shqiptarët do të marrin lajmin e mirë nga Komisioni Evropian për të rekomanduar përfundimisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Përpjekja e fundit për të penguar këtë lajm të mirë do të bëhet më 25 maj nga huliganët”, ka thënë Balla.

Në këtë linjë, një ditë më parë, deputeti Ulsi Manja propozoi dhe nisjen e antimitingjeve kundër protestave të opozitës. Duke i cilësuar tubimet e opozitës si demonstrata dhune, Manja tha se ka ardhur koha që PS të organizojë tubime masive, ku të thërrasë njerëzit në mitingje paqësore për t’u distancuar nga opozita. Protestat që kërkon deputeti i PS dhe të tjerë pas tij, në fakt nuk janë tubime paqësore, por anti-mitingje të qeverisë, të cilat do të shërbejnë për të “treguar muskujt” kundër opozitës.

Projekte të tilla për anti-mitingje, si dhe deklarata si ato të Taulant Ballës i cili flet për për të shkuar drejt zgjedhjeve pa opozitën, me çdo çmim, do ta tensionojë edhe më tej situatën politike. Në fakt, thirrje të tilla nga mazhoranca, që pritet të jetë më e matur dhe ofruese e negociatave, hedhin më shumë benzinë në zjarrin e protestave dhe e çojnë vendin drejt përplasjes.

Opozita ka deklaruar se më 30 qershor nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve duke dhënë argumentet politike dhe teknike. Politike, sepse me një qeveri që akuzohet për vjedhje të votave dhe korrupsion nuk mund të flitet më për procese normale. Ndërsa argumentet teknike që i bëjnë të pamundura zgjedhjet lidhen që skandimin e 1 milionë karta identiteti të votuesve dhe deri te shkelja e të gjitha ligjeve për mbajtjen e zgjedhjeve normale.

Kur flitet për retorikë dhune nga ana e opozitës, nuk duhet harruar se dhe nga mazhoranca ka kohë që përdoret gjuha e kërcënimeve dhe presioneve të cubave dhe jo politikanëve. Në këtë krizë, kur nuk ka asnjë shans që 30 qershori të jetë ditë normale zgjedhjesh, të deklarosh se këtë proces të njëanshëm “nuk e luan as topi”, është papërgjegjshmëri politike dhe çuarje e vendit me vetëdije drejt konfliktit.

SHKARKO APP