“Krimi ka lëshuar rrënjë në Shkodër”. Qeveria pranon dështimin me rendin
Vrasjet e fundit të ndodhura në Shkodër kanë nxjerrë në pah dhe problemet serioze me rendin në vend. Ekzekutimi i dy vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali para oborrit të shtëpisë është pjesë e një sage të gjatë ekzekutimesh dhe larje hesapesh me grupeve kriminale në qytetin e Shkodrës. Bilanci i rëndë i përplasjeve të bandave, më shumë se kurrë flet për një dështim të mënyrës sesi forcat e rendit dhe institucionet po përballen me këtë fenomen.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj teksa prezantonte sot në Shkodër Prefektin e ri të Qarkut, Valdrin Pjetri, ka bërë një deklaratë që në një farë mënyrë pranon dhe dështimin e strategjisë së ndjekur deri më sot nga policia për luftën kundër krimit të organizuar. Edhe pse ministri ka deklaruar se situata është e mbartur nga ngjarjet e kryera vite më parë, fakti është se numri rekord i viktimave është regjistruar vitin e fundit. “Jemi të gjithë të informuar që niveli i sigurisë në qarkun e Shkodrës është sfiduar disa herë gjatë periudhës, pra gjatë viteve të shkuara. Kemi patur goditje të forta, të rënda në drejtim të sigurisë publike të cilat janë produkt i një krimi të organizuar dhe të pjekur ndër vite, i cili ka arritur të lëshojë rrënjë për fat të keq në qarkun e Shkodrës, por veçanërisht në qytetin e Shkodrës, paradoksalisht në qytetin e Shkodrës, i cili në fakt njihet për kryeqytetarinë e Shqipërisë për vlera të mëdha”,- deklaroi ministri Lleshaj.
Pranimi i asaj që po ndodh në Shkodër nuk e shmang terrorin me të cilin po përballen sot qytetarët e Shkodrës. Në qytetin verior, prej një viti ka nisur luftë e hapur mes klaneve kriminale dhe në mënyrë të ndërhyrjes së shtetit, palët po eliminojnë njeri-tjetrin. Në Shqipëri gjithmonë ka pasur ngjarje të tilla, por ajo çfarë e bënë më të rëndë është fakti se policia njeh palët e përfshira në konlikt, madje në ndonjë rast edhe autorët e dyshuar. E megjithatë, institucionet në vend që të ndërhynin kanë lejuar që gjërat të degradojnë dhe sot jemi në situatën kur Policia e Shtetit numëron viktimat, 11 në 8 muaj, dhe ende nuk ka autorë të venë pas prangave.
Pothuaj e njëjta situatë është edhe në qytetin e Elbasanit. Përplasjet mes bandave për pazaret kriminale dhe kontrollin e territorit kanë lënë pas një numër të madh viktimash dhe krijojnë idenë se këto qytete ndodhen në situatën e qyteteve Italiane si Palermo që kontrollohen nga mafia.
Kjo situatë nuk zgjidhet më me ndryshime shefash policie dhe as me inkursione të zyrtarëve të rendit disa ditore në qytetet problematike. Më shumë se kurrë shteti, policia dhe institucionet e tjera duhet të organizojnë një plan masash dhe aksionesh që të godasë jo thjesht autorët e ngjarjeve, por edhe modelin e bandave dhe të fortëve që arrijnë edhe në vitin 2019 të sfidojnë shtetin. Nuk është mision i pamundur. Ndryshe nga llojet e tjera të veprave penale ku është e vështirë të identifikohen kollaj burimet që prodhojnë krimin, në Shkodër dhe Elbasan policia e di çfarë ndodhë dhe e di se kush qëndron pas çdo përplasje të fortë kriminale.
Ajo që mundon është gatishmëria e Policisë së Shtetit për të goditur në kohë. Sandër Lleshaj është ministri që ka mundësinë për të ndryshuar këtë situatë anormale në qytetet problematike, ku gjithë Shkodra dhe Elbasani e dinë se çfarë dhe kush kryen krime dhe vetëm policia bën sikur nuk di çfarë ndodhë.
Vrasjet në Shkodër, Zëri i Amerikës: Qytet i tronditur nga krimi